Pasi u deklarua nga kryeministri Rama që kjo javë do të shënonte edhe fillimin e shpërndarjes së “pagave të luftës” për të gjitha bizneset e pezulluara që prej 11 Marsit, beratasit janë dyndur gjatë 2 ditëve të fundit në bankat e qytetit.

Radhë të gjata ka pasur sot në çdo filial banke në Berat, ku pronarë e punonjës të bizneseve të pezulluara kanë qëndruar për të kontrolluar nëse u është derdhur apo jo në llogarinë e tyre “paga e luftës” si dhe për të paguar tatimet dhe siguracionet e bizneseve. Ata shprehen se edhe pse janë njoftuar nga ekonomistët e bizneseve që paga e luftës është miratuar, në llogarinë e tyre ende nuk është derdhur asgjë. Duke shpresuar që kjo pagë t’ju depozitohet sa më shpejt në llogaritë e tyre bankare, ata kërkojnë edhe faljen nga shteti të taksave deri në përfundim të kësaj situate.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Të shumtë kanë qenë edhe ata qytetarë që në kushte tejet të rënduara ekonomike i janë drejtuar bankave për të paguar këstet e kredive edhe pse kryeministri deklaroi se kreditë do të shtyhen me 3 muaj. Një punonjëse fasonerie, e hequr nga puna në këtë periudhë pandemie, ka deklaruar se bizneset fasone kanë bërë shkurtime në fuqinë punëtore që prej fillimit të pandemisë Covid-19, duke i hedhur në rrugë punonjësit që tashmë nuk përfitojnë dot as “pagën e luftës”, pasi bizneset fasone ku ata punonin nuk janë përfshirë në listën e bizneseve të pezulluara nga qeveria.

Të pakënaqur janë edhe qytetarët, të cilëve u janë bllokuar nga policia automjetet gjatë kësaj periudhe. Një banor nga Berati që jeton prej 26-vjetësh në Angli deklaron se edhe pse kryeministri deklaroi që të gjitha gjobat e deritanishme do të falen dhe mjetet do të kthen mbrapsht, asgjë nga këto nuk ka ndodhur. “Kam ardhur në bankë të tërheq para për të paguar gjobën e policisë për të rimarrë sërish makinën që më kanë bllokuar”, shprehet ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb