Jordania ndaloi raportimin për një komplot të dyshuar për destabilizmin e këtij vendi, i cili thuhet se përfshin edhe ish-princin e kurorës, Hamzah bin Hussein.
Prokurori i përgjithshëm tha se ndalesa vlen edhe për mediat sociale.

“Për të ruajtur sekretin e hetimeve që po ndërmerren nga shërbimet e sigurisë, në lidhje me lartmadhërinë e tij, princin Hamza bin Hussein, dhe të tjerët, prokurori publik i Amanit ka vendosur të ndalojë publikimin e gjithçkaje në lidhje me hetimet në këtë fazë”, tha përmes një deklarate Zyra e prokurorit të përgjithshëm. Në fundjavë, Qeveria jordaneze e akuzoi princin Hamzah, 41 vjeç, për komplot kundër mbretërisë.

Zëvendëskryeministri Ayman Safadi tha se Hamzah punoi me “palë të huaja” për të destabilizuar shtetin. Gjashtëmbëdhjetë persona, përfshirë një ish-këshilltar të mbretit të Jordanisë, Abdullah, dhe një anëtar tjetër të familjes mbretërore, u arrestuan, nën akuzat për kërcënim të sigurisë. Sipas njoftimeve të disa mediave, princi duket se është grindur me shefin e shtabit ushtarak për kufizimet e lirisë së tij. Princi Hamzah i mohoi akuzat për konspiracion dhe më vonë nënshkroi një letër për të konfirmuar besnikërinë e tij ndaj mbretit Abdullah.

“Unë e vendos veten në duart e madhështisë së mbretit. Do të mbetem i përkushtuar ndaj Kushtetutës së Mbretërisë së Jordanisë”, -thuhet në letër. Letra erdhi pas ndërmjetësimit të xhaxhait të princit, për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Përçarja publike midis princit Hamzah dhe mbretit Abdullah është e pashembullt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: