TIRANË

Ish-shefi i repartit të kardiokirurgjisë, Edvin Prifti po hetohet nga SPAK nën dyshimet se ka abuzuar me tenderat në qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, çka ka gjasa të zgjerojë rrethin e bluzave të bardha apo zyrtarëve të tjerë të përfshirë ne veprimtari kriminale.

“Hetimet në lidhje me Edvin Priftin janë shtrirë edhe në drejtim të disa procedurave të prokurimit të realizuara nga QSUT. Lidhur me këto procedura prokurorimi është e rëndësishme të administrohet dokumentacioni, të evidentohet pozita e të dyshuarit si dhe të pyeten edhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit tyë Ofertave, njësisë së prokurimit, apo edhe të operatorëve ekonomikë që kanë marrë pjesë në tender”, -thuhet në dokumentin e SPAK, përmes të cilit është firmosur zgjatja e hetimeve për kardiokirgurgun edhe për një afat prej 6 muajsh.

  • foto galeri
  • foto galeri

Kardiokirurgu është nën hetim prej muajsh, për korrupsion e pastrim parash, pasi ra në rrjetën e përgjimeve teksa prokuroria hetonte rastet e korrupsionit në gjykatën e Krujës, ku sekretarja e këtij institucioni fliste për ryshfet për operacionin e nënës.

Mjeku u pezullua fillimisht nga ushtrimi i profesionit, por gjatë kontrollit në shtëpi e zyrë iu gjetën gjysmë milioni euro, prej nga u ngritën dyshime edhe për vepra të tjera penale. Në vazhdim, prokurorët specialë këqyrën telefonin e Priftit, kompjuterin e punës dhe një lap top, ku zbuluan të dhëna të reja që i orientuan prokurorët specialë të hedhin sytë nga tenderat.

Prokuroria thotë se gjatë këtyre gjashtë muajve do të thërrasë në dëshmi shumë persona, përfshirë dhe mjekë, të cilët rezultojnë në kontakte telefonike me të dyshuarin Prifti, dëshmia e të cilëve mund t’i shërbejë hetimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb