Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur procesin e vaksinimit me njësitë e lëvizshme në Ndroq, në periferi të Tiranës. Duke folur për interesin në rritje për vaksinimin anticovid edhe mes të rinjve, Manastirliu tha se do të ketë sërish javë të hapura të vaksinimit masiv +18 vjeç.

“Javët e hapura të vaksinimit do të vijojnë. Fakti që kemi disponibilitet dhe lloje të ndryshme vaksinash në të gjitha strukturat tona shëndetësore na krijon mundësinë që të vazhdojmë vaksinimin për çdo grupmoshë. Sigurisht që këto ditë kanë treguar që vaksinimi i hapur ka funksionuar. Ditët e fundit kanë treguar që është rritur mbulimi me vaksina për të gjitha grupmoshat dhe shihet një interes në rritje edhe për grupmoshën e re, pra +18 vjeç”, tha Manastirliu.

Duke folur për disponibilitetin e vaksinave, Manastirliu bëri me dije se ditën e hënë do të mbërrijë në vendin tonë një tjetër sasi e vaksinës Pfizer.

“Ne jemi në pritje ditën e hënë për të vijuar furnizimin me vaksina. Do të kemi rreth 44 mijë doza të vaksinës Pfizer ditën e hënë, në vijim të kontratës që ne kemi, të qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer si edhe të mbështetjes së Bashkimit Europian. Ndërkohë që do të vijojmë që të rrisim sasinë e vaksinave në vend, në sajë të kontratave që kemi lidhur”, tha Manastirliu.

Duke theksuar rrezikun e përhapjes së shpejtë të variantit Delta, Ministrja e Shëndetësisë ka ftuar qytetarët që të vaksinohen sa më parë.

“Kemi dyshime të arsyeshme nga sinjalet laboratorike se në Shqipëri qarkullon varianti Delta. Por ende jemi në pritje të rezultateve të Laboratorëve të Referencës për ta vërtetuar këtë dyshim tonin.
Ajo çfarë është e rëndësishme, duke u nisur edhe nga çfarë po ndodh në vendet përreth, ku shihet që ka një rritje të qarkullimit të këtij varianti dhe ka nevojë për të rritur ndërgjegjësimin në fakt për procesin e vaksinimit. Vaksina është arma e vetme që ne kemi”, tha Manastirliu.

Duke folur për rastet e reja me Covid19 që kanë pësuar rritje ditët e fundit, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, prof. Silva Bino tha:

“Shikojmë një rritje të rasteve në grupmoshat e reja. Pra grupmoshat të cilat predominojnë në atë numër të kufizuar rastesh që kemi, janë grupmoshat nga 15 në 24, nga 25 në 34 dhe 35 në 44 dhe mbi 70 vjeç kemi pasur raste. Pra është e rëndësishme që këto grupmosha, sidomos grupmoshat e reja të vaksinohen”, tha Bino.

Në 24 orët e fundit janë kryer mbi 14 mijë vaksinime, ndërkohë që prej fillimit të procesit të vaksinimit, janë kryer 1,109,785 vaksinime në të gjithë vendin. Vaksinimi i hapur do të vijojë deri ditën e dielë, nga ora 08:00-20:00 në qendrat shëndetësore dhe në qendrat e vaksinimit të përqëndruar në të gjithë vendin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb