E diela ishte një ditë e zezë për Kosovë, pasi një grup terrorist serb sulmoi me armatimet më të fundit dhe të sofistikuar policinë, duke i marrë jetë dhe një prej efektivëve.
Për këtë sulm të ndodhur në Veri, Banjskë, deputet i PDK Ardian Kastrati tha në emisionin “Open” në News24 se gjithçka është organizuar nga Aleksandar Vuçiç dhe Aleksandar Vulin.
Ai shkon më tek kur hedh hipoteza se kjo mund të jetë e iniciuar nga Rusia, për të shpërqendruar vëmendjen nga lufta në Ukrainë.
“Raportohet zyrtarisht 4, por burime të pakonfirmuara thonë se mund të jenë dhe 8 të vrarë. I referohem asaj që tha ministri i Brendshëm i Kosovës. Kur shohim tërë këtë arsenal, nuk ka nevojë që të jemi ekspertë, por mendoj se është përgatitur për muaj të tërë. Ka pasur ftesë për popullatën, por ajo e ka refuzuar ftesën. Ky reagim ka bërë që këta sulmues janë izoluar.
Është pritur kjo sepse kanë qarkulluar informacione se disa grupe kanë pasur një super koordinim që me ardh në një moment delikat, andej Ukraina, këtej Kosova, që të nxisin një lloj kryengritje lokale. Janë nga Kosova por dhe nga Serbia,. Kam informacion që Vulin dhe Vuçiç qëndrojnë nga pas, por gjithsesi Vulin sepse pasi është futur në luftën e zezë nga SHBA, ka pasur disa takime në Rusi. Rusia teton të shpërndajë vëmendjen në vende të tjera dhe shërbimet sekrete serbe u vinë në shërbim të Rusisë. Si e bënë? Nuk ishte rastësisht manastiri, sepse kanë shpresuar që nga ne do ketë reagim emotiv, dhe të futeshin në një manastir dhe të niste aty një luftë të hapur, dhe ta keqpërdornin duke thënë që Kosova sulmon në manastire serbe. Por kjo nuk u eci”, tha ai.
Sakaq ai ka kritikuar edhe Albin Kurtin, duke thënë se gjithë kjo na nisur me targat serbe, kur kryeministri i Kosovës vuri afate.
“Situata ka qenë jashtë kontrollit, fatkeqësisht ka nisur me targat kur Kurti me kokëfortësi tentonte të nxiste dhe të vinte limite kohe që nëse nuk kapnin afatin, do të vinin sanksione. Që nga nëntori nuk ke më institucione të Kosovës atje. Terreni ka qenë i favorshëm për të përgatitur një sulm të tillë”, tha Kastrati.
Sakaq gazetarja Klodiana Lala, e cila ka ndjekur nga afër ditën e sotme aksionin e policisë, tha se është lajm i mirë që janë sekuestruar armët, pasi kjo tregon se nuk do të përdoren më. Ajo shtio po ashtu se policia e Kosovës duket se nuk e ka nën kontroll situatën në Veri.
“A ka gabuar diku policia e Kosovës që gjithë ky sulm ka mundur që të organizohet kaq mirë? Ne e pyetëm ministrin e Brendshëm dhe ai nuk e konsideroi një gabim, por u përpoq ta justifikonte dhe e cilësoi këtë aksion si një sukses të policisë së Kosovës. Sekuestrimi i këtyre armëve është një lajm i mirë sepse nuk do të përdoren më, por me çfarë kam konstatuar në terren duket sikur policia e Kosovës nuk e ka në kontroll situatën në Veri. Pasi kalon urën dhe e Ibrit nuk ka asnjë shenjë që të identifikojë që është territor i Kosovës, që në fakt është i tillë”, u shpreh Lala.