Dokumente të klasifikuara për mbrojtje, me hollësi rreth anijes ushtarake britanike HMS Defender, janë gjetur në një stacion autobusi në Britani të Madhe, ka raportuar BBC më 27 qershor.

Qeveria britanike ka thënë se javën e kaluar është raportuar për një punëtor të shqetësuar për humbje të dokumenteve, dhe hetimet kanë nisur.

Një qytetar, që ka dëshiruar të mbetet anonim, ka kontaktuar BBC-në, pasi ka gjetur 50 faqe të informacionit të klasifikuar, afër një stacioni të autobusëve në Kent më 22 qershor.

Sipas BBC-së, në dokumente janë përfshirë edhe diskutimet rreth reagimit potencial rus ndaj udhëtimit të anijes HMS Defender, përmes ujërave ukrainas në gjirin e Krimesë më 23 qershor, si dhe është përmendur mundësia e prezencës së ushtrisë britanike në Afganistan.

Ministria e Mbrojtjes ka thënë se anija HMS Defender “ka kryer rrugëtim të drejtë përmes ujërave territorialë të Ukrainës, në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

Një zëdhënës ka thënë se “ashtu siç pret publiku, Ministria e Mbrojtjes bën plane me kujdes”.

Partia kryesore opozitare në Britani, Partia Laburiste, ka thënë se zbulimi i dokumenteve nga një qytetar “aq sa i turpshëm, është edhe brengosës për ministrat”.

Shefi i laburistëve për politika të mbrojtjes John Haeley, ka thënë se ministrat duhet të konfirmojnë se siguria kombëtare nuk është dëmtuar, se operacionet e sigurisë nuk janë prekur, dhe se “ka procedura që sigurojnë që diçka e tillë të mos ndodhë më kurrë”.

Anija HMS Defender, është nisur aktualisht në rajonin Indo-Paqësor.

Rusia ka pretenduar se anijet e saj kanë lëshuar më 23 qershor, të shtëna paralajmëruese, dhe se një aeroplan ushtarak ka lëshuar bomba afër anijes, për ta detyruar atë që të ndryshojë drejtimin nga zona afër qytetit Sevastopol të Krimesë.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se nuk është shtënë drejt anijes, dhe se Rusia ka qenë duke kryer stërvitje të paralajmëruara më herët në atë zonë.

Rusia ka aneksuar rajonin e Krimesë nga Ukraina, në mars të vitit 2014, duke dërguar trupa ushtarake, dhe duke organizuar edhe referendum, i cili është shpallur jolegjitim nga të paktën 100 shtete.

/REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb