Një person është vrarë me armë zjarri në rrugën “Nato 99” në Gjilan, mëngjesin e së dielës. Inspektorati i Policisë së Kosovës, përmes një komunikate për media ka njoftuar se i dyshuari me inicialet V.H., që ishte përfshirë në përleshje është pjesëtar i Policisë së Kosovës, i cili ka qenë jashtë detyrës zyrtare.

“Pasi dyshimet ishin se në këtë incident i dyshuar ishte një pjesëtar i Policisë së Kosovës, menjëherë përmes ‘Linjës së kaltër’ janë njoftuar hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes”.

“Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e mjekësisë ligjore dhe njësinë rajonale të hetimeve janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit policor.

I dyshuari, zyrtari policor, është arrestuar nga Inspektorati Policor dhe nga prokurori i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, thuhet në komunikatë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb