BERLIN

Një ngjarje e rëndë tronditi Berlinin ditë më parë dhe komunitetin shqiptar që jeton në këtë vend.

Një 47-vjeçar me origjinë shqiptare mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në Berlin, ndërsa autori, një 60 vjeçar, qëlloi më pas veten duke gjetur vdekjen në spital.

Gjithnjë sipas mediave gjermane, viktima kishte lidhje me ish-gruan e 60 vjeçarit dhe ky me sa duket është motivi kryesor i krimit që ndodhi mbrëmjen e së shtunës, përcjell albinfo.ch.

Bledi G., u qëllua në pjesën e gjoksit duke gjetur vdekjen e menjëhershme, derisa fqinjët nuk e dinin pse ndodhi dhe nuk kishin mundur ta ndihmojnë. Pas kësaj, 60-vjeçari vrau veten me pistoletën e krimit.

Në vendin e ngjarjes në afërsi të stacionit të metrosë Bismarckstraße dhe jo shumë larg nga “Deutsche Oper”, policia kriminale ka siguruar prova të vrasjes. Dëshmitarët dhe të afërmit e të dy burrave u morën në pyetje për të dhënë detaje për raportet që kishin dy shqiptarët.

Mediat gjermane shkruajnë mes tjerash se pista kryesore është xhelozia, por nuk përjashtohet mundësia e një konflikti të mëparshëm mes dy shqiptarëve. Ndërkohë hetimet vijojnë me intensitet pë zbardhjen e vrasjes së shqiptarëve, ngjarje kjo që tronditi komunitetin shqiptar në Gjermani.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb