Pamjet që po shihni janë shkëputur nga fronti rus i luftës. Në të shihen raketa termobarike, të njohura ndryshe si bomba me vakum, duke u lëshuar në Ukrainë. Videoja është publikuar nga milicia e Republikës së vetëshpallur të Donetskut. Pamjet tregojnë lëshimin e dhjetëra raketash TOS-1A e prodhuar nga Rusia.

Armët termobarike janë të diskutueshme sepse ato janë shumë më shkatërruese se eksplozivët konvencionalë të përmasave të ngjashme dhe kanë një ndikim të tmerrshëm te këdo që kapet në rrezen e tyre të shpërthimit.

Po çfarë janë raketat termobarike?

Një bombë termobarike përbëhet nga një enë karburanti me dy ngarkesa të veçanta shpërthyese.
Kjo mund të lëshohet si një raketë ose të hidhet si një bombë nga avioni. Kur godet objektivin e tij, ngarkesa e parë shpërthyese hapet dhe shpërndan gjerësisht përzierjen e karburantit si një re.

Kjo re mund të depërtojë në çdo hapje ndërtese ose mbrojtje që nuk është plotësisht e mbyllur.
Një ngarkesë e dytë më pas shpërthen renë, duke rezultuar në një top zjarri të madh, një valë masive shpërthimi dhe një vakum që thith të gjithë oksigjenin përreth. Arma mund të shkatërrojë ndërtesa të përforcuara, pajisje dhe të vrasë ose plagosë njerëz.

Ato përdoren për një sërë qëllimesh dhe vijnë në një sërë madhësish, duke përfshirë armë për përdorim nga ushtarë individualë, si granata dhe raketa-hedhës dore.

Janë projektuar gjithashtu versione të mëdha të lëshuara nga ajri, veçanërisht për të vrarë mbrojtësit në shpella dhe komplekse tunelesh, efektet e kësaj arme janë më të rëndat në hapësirat e mbyllura.

Në vitin 2003, SHBA testoi një bombë 9,800 kg, të mbiquajtur “Nëna e të gjitha bombave”. Katër vjet më vonë, Rusia zhvilloi një pajisje të ngjashme, “Babai i të gjitha bombave” . Kjo krijoi një shpërthim të barabartë me një bombë konvencionale 44 ton – duke e bërë atë pajisjen shpërthyese jo-bërthamore më të madhe në botë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: