Në përvjetorin e dytë të vdekjes së anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit Internacionalja Socialiste i ka dërguar një letër kreut të kësaj partie, Albin Kurtin. Në letër thuhet se është e papranueshme që ende nuk janë sqaruar rrethanat e vdekjes së Deharit.

Po ashtu internacionalja i bën thirrje qeverisë kosovare që të shpejtojë me zbardhjen e këtij rasti. Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar letrën nga Internacionalja Socialiste në lidhje me rastin e Astrit Deharit.

LETRA E PLOTË:
INTERNACIONALJA SOCIALISTE
5 nëntor 2018
Albin Kurti
Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Kosovë
I dashur Kryetar, i dashur mik,
Teksa përkujtojmë sot përvejtorin e dytë të vdekjes së trishtueshme të anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Astrit Deharit, i cili vdiq në burg ndërkohë që aty mbahej pa aktakuzë, ne ju shprehim juve, familjes dhe shokëve të tij, konsideratën dhe solidaritetin tonë.

Është tërësisht e papranueshme që pas dy vitesh rrethanat e vdekjes së tij tragjike ende nuk janë sqaruar dhe se ende nuk është vendosur drejtësi. Ne e mirëpritëm vendimin e marrë nga qeveria në shkurt të vitit 2018 për të lejuar një hetim të pavarur nga “Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore – Romand”, (CUTML), në Zvicër, por mbetemi thellësisht të shqetësuar për vonesat në përmbylljen e këtij procesi, duke sjell ndër mendje se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.
Shfrytëzojmë rastin për t’i bërë thirrje qeverisë që të nderojë dhe respektojë të drejtat e Astrit Deharit dhe familjes së tij, të shpejtojë zbardhjen e këtij rasti, si dhe të bashkëpunojë plotësisht dhe pa vonesa me hetimin e pavarur që po zhvillohet në Qendrën e Mjeksësisë Ligjore në Zvicër.
Familja globale politike e Internacionales Socialiste, anëtare e së cilës është Lëvizja VETËVENDOSJE!, do të vazhdojë t’i ndjekë nga afër zhvillimet e këtij rasti.
Përshëndetje të përzemërta,
Luis Ayala
Sekretar i Përgjithshëm
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb