Klubi i Skënderbeut, pasi ka njohur kundërshtarët në dy turet e para të Ligës së Europës, ka vendosur që të mbajë Liridon Latifin edhe për të paktën këto katër ndeshje, duke menduar se kalimi i ekipit nga Andorra është fakt i kryer. Mesfushori kosovar do të jetë largimi i radhës dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Në listën që Skënderbeu ka paraqitur në UEFA, nuk është konfirmuar ndonjë rinovim i kontratës së Latifit, që i skadon në dhjetor të këtij viti.

Burime të sigurta të “Panorama Sport” në klub treguan dje se aktivizimi i Latifit në Ligën e Europës është një mundësi e mirë për të rritur vlerën e lojtarit. Paraqitja e Latifit në finalen e Kupës së Shqipërisë ka lënë të pakënaqur disa agjentë të klubeve që kanë bërë ofertë zyrtare dhe ishin prezentë në stadium më 31 maj. Megjithatë, në muajin korrik pritet që klubi të shesë zyrtarisht mesfushorin, duke tentuar të arkëtoj mbi 1 milion euro, ashtu siç bëri me Peter Olainkën.

OFERTAT
Interesimet në drejtim të Latifit ishin të mëdha që në janar, por pamundësia si pasojë e gafës së bërë nga klubi për ta federuar lojtarin dy herë gjatë një sezoni, që nuk i lejonte më lëvizjen e tretë, bënë që prishtinasi të mbetej pjesë e Skënderbeut. Tashmë ka ardhur koha e duhur që Latifi të largohet në ndonjë klub europian që kërkon shërbimet e lojtarit.

Skënderbeu do të dorëzohet për të mos e humbur lojtarin me parametra zero, duke parë që kontrata e tij skadon në dhjetor të këtij viti. Lacio, Gent dhe Dinamo Zagreb janë te dera, por në lojë është edhe Astana e Kazakistanit. Klubi kazak mësohet se ka bërë një ofertë tunduese për lojtarin dhe vetë klubin bardhekuq. Por, vetëm në korrik do të shohim se cili do të jetë ekipi që do të marrë shërbimet e lojtarit të Kombëtares. Presidenti Ardjan Takaj ka thënë se shitja e tij pritet të jetë rekord sa u përket të ardhurave të klubit, por gjithçka mbetet për t’u parë./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: