TIRANE– Shërbimet 4G ofrohen tashmë për një pjesë të abonentëve në vendet europiane. Teknologjia e gjeneratës së katërt ose Long Term Evolution (LTE) është një evolucion teknologjik, i cili ofron shpejtësi më të lartë dhe performancë më të mirë. 4G do të ulë ndjeshëm vonesat e komunikimit interaktiv siç janë video-konferencat apo facetime. Shumë shpejt kjo teknologji do të aplikohet edhe në Shqipëri, dhe sipas Drejtorit të Divizionit Teknik në AMC, Z. Rauf Elmas, ky është një hap i madh drejt së ardhmes, të cilin kompania e ka ndërmarrë dhe tashmë është gati për ta ofruar.

“Kalimi nga gjenerata e tretë në atë të katërt mund të quhet pa diskutim një hop i madh cilësor. Nëse do të themi 4G ose Long Term Evolution (LTE), menjëherë duhet ta lidhim me tre gjëra: më shumë shpejtësi, më shumë shpejtësi dhe më shumë shpejtësi. Pra, ky është thelbi i së gjithës. Ne jemi gati dhe shumë shpejt do të nisim shërbimet 4G me një shpejtësi 150 Mbit/s në download dhe 50 Mbit/s në upload. Nëse për shërbimet 3G flasim për shpejtësi deri në 42 Mbit/s, tani me 4G do të flasim për mbi 3-fish të shpejtësisë. Aplikimi i teknologjisë 4G krijon mundësi që shpejtësia të arrijë në 300-400 Mbit/s, pra deri në 10-fish më shumë se teknologjia e mëparshme”, shprehet z. Elmas.

Sipas tij, abonenti do të shohë se, duke pasur në dispozicion një shpejtësi kaq të lartë, telefoni që do të mbajë në xhep do të jetë thuajse i njëjtë me një kompjuter të zakonshëm nga pikëpamja e funksioneve.

“E thënë ndryshe, teknologjia 4G do të ofrojë më tepër shpejtësi, rendiment më të lartë, përgjigje më të shpejtë ndaj komandave si dhe do te shkurtojë në mënyrë të jashtëzakonshme vonesat e komunikimit. Si shembull, Elmas merr shërbimin cilësor të zërit HD. “Nëse deri më tani nëpërmjet 3G kemi ofruar cilësinë më të mirë të zërit HD, me 4G kjo cilësi do të arrijë nivele të paprovuara më parë, pasi 4G suporton lehtësisht transmetimin e volumeve më të mëdha të të dhënave”, thotë Elmas.

Eksperienca gjermane

AMC është pjesë e Grupit Deutsche Telekom dhe sipas Elmas, edhe ofrimi i shërbimive 4G do të bëhet duke përdorur eksperiencën e inxhinierisë gjermane. “Shumë kompani të Grupit Deutsche Telekom e kanë implementuar me sukses këtë shërbim dhe ky është dhe një nga avantazhet e mëdha që ne kemi. Kjo është e ardhmja e kompanisë dhe drejtimi ynë. Ekspertët tanë do të vazhdojnë bashkëpunimin me kolegët gjermanë dhe të kompanive të tjera të Grupit Deutsche Telekom për të sjellë rrjetin më cilësor dhe shërbimet më të mira për abonentët”, thotë ai.

Deutsche Telekom është një ndër kompanitë e telekomunikacionit lider në botë dhe AMC është pjesë ea këtij Grupit që prej vitit 2009.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb