Partia Demokratike ka zhvilluar një takim me mësuesit në qytetin e Beratit. I deleguari politik i PD-së për qarkun Berat, Eno Bozdo, i shoqëruar nga Prof.Myqerem Tafaj prezantuan programin e PD-së për arsimin.
Qëllimi i takimit ishte prezantimi i programit të Partisë Demokratike për arsimin dhe edukimin, në kuadër të prezantimeve të programeve zgjedhore të Partisë Demokratike.
“E ardhmja fillon nga edukimi, nga arsimi dhe nga cilësia e mësimdhënies. Në 12 vite arsimi ka kapërcyer sfida të ndryshme, sfida që kanë tejkaluar sferën e vetë sektorit, dhe vështirësi të panumërta. Reformat e kthyen mbrapsht vendin vite më parë, ka pasur dhe ka probleme të shumta në sistemin arsimor, probleme këto që janë thelluar mjaft me largimin e qytetarëve nga Shqipëria dhe rrjedhimisht braktisjen e shkollës nga nxënësit. Për fat të keq arsimi është nga ata sektorë që janë shumë hapa të mëdhenj prapa”, – tha Eno Bozdo, duke pohuar se pas 11 prillit gjithçka në sistemin arsimor do të ndryshojë nën drejtimin e Partisë Demokratike, nëpërmjet reformave që janë hartuar prej saj.
Ndërsa Profesor Myqerem Tafaj është ndalur në pikat kryesore dhe në sfidat në sistemin arsimor, me të cilat që do të përballet qeverisja e Partisë Demokratike. Ai ka folur për programin e hartuar për arsimin nga Partia Demokratike, që ka të bëjë me financimin e këtij sektori jetik dhe kualifikimin në shkollat më të larta të mësuesve. Tafaj ka pohuar se programi i Partisë Demokratike synon dyfishimin e financimit për arsimin, duke rritur edhe rrogat e mësuesve që deri tani janë të pamjaftueshme për të përballuar jetesën.
(BalkanWeb)