SHKODER

Një 58-vjeçare nga fshati Zagore e Malësisë së Madhe, e bllokuar nga dëbora, është dërguar me urgjencë në spitalin e Shkodër me helikopter për shkak të komplikacioneve me shëndetin.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për ‘BalkanWeb’ se Behije Vucaj kishte një emergjencë shëndetësore dhe në pamundësi për t’u transportuar me makinë është dashur transportimi përmes ajrit. Kështu një helikopter ka mbërritur në fshatin Zagore duke bërë të mundur transportimi e saj drejt spitalit rajonal të Shkodrës. Fillimisht helikopteri e ka ndalur 58-vjeçaren në stadiumin “Loro Boriçi” dhe nga aty drejt spitalit është dërguar me një ambulancë. Pas dhënies së ndihmës së parë burimet spitalore bëjnë me dije se 58-vjeçarja është jashtë rrezikut për jetën.

Pas kësaj ngjarje ka reaguar edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka. Kjo e fundit theksoi përmes një postimi në ‘Facebook’ se një helikopter Cougar i Forcës Ajrore ka bërë të mundur transportimin.

“Një helikopter Cougar i Forcës Ajrore me në bord personel mjekësor të Spitalit Ushtarak, ka transportuar një 58-vjeçare të sëmurë nga fshati Vuç-Kurtaj i Malësisë së Madhe për në spitalin e Shkodrës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë që një 25-vjeçare nga Peshkopia e bërë nënë dje, po trasportohet po nga djemtë tanë të Farkës për në Tiranë.
Forcat e Armatosura të Shqipërisë në krye të detyrës!????”, shkruan Xhaçka.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb