Një vakt bukë në ditë, ndonjëherë edhe në dy ditë, është ajo që i mban shpirtin gjallë 67-vjeçarit Faik Cekrezi, që edhe këtë mundësi thotë se ia di për faleminderit Kishës.

Bashke me gruan i gjen çdo mëngjes në hyrje të mensës sociale, pranë “Shkollës së Kuqe”, në Tiranë, për të konsumuar vaktin e vetëm që i mban gjallë, deri ditën kur mensa të hapet serish.

Në xhep nuk ka një 5 lekësh as për t’i hipur urbanit.

Ashtu avash avash, me këmbët që mezi tërheqin trupin e mplakur e disi të kërrusur, 67-vjeçari bën çdo ditë kilometra të tëra për të ardhur nga Ali Demi, deri te mensa, pranë “Shkollës së Kuqe”.

Në kthim i duhet të pastrojë kazanët me kokën e zhytur brenda tyre, me shpresën se do gjejë kanaçe, që me to të paguajë qiranë e shtëpisë. Pagesën e ndan me këste të vogla, aq para sa bën në ditë ia jep pronarit e kështu të nesërmen, të pasnesërmen, duke u lutur të mos bjerë shi, e të mos bëjë shumë ftohtë.

Në banesën me qira të Faikut, në zonën e Ali Demit, ka shumë pak orendi për t’u mbajtur mend. Një dollap rrobash i vogël, një krevat dopio, dy bufe të vjetra të kohës së monizmit, ku asgjë nuk është e tij, po të pronarit të shtëpisë. Çifti i varfër nuk ngrohet, nuk ka me se, e aq më pak lavatriçe a frigorifer. Madje edhe televizorin e kanë sa për dukje, pasi ju mungon pajisja dixhitale, që u pamundëson të shohin se ç’bëhet përreth.

Ndihmë ekonomike nuk merr, se pasaportizimin e ka në fshatin e lindjes në Përrenjas. Por nuk merr as kemp, edhe pse vuan nga një sëmundje tepër e rëndë e mushkërive, që quhet spok.

Arsyeja që i thonë është se nuk plotëson vitet e sigurimit në punë.

Faiku nuk ka qenë gjithmonë ky. Brenda të moshuarit që sot mezi mban veten në këmbë fshihet një baba që ka 5 fëmijë të rritur e të stabilizuar me punë në Itali.
Por, fëmijët kanë vendosur ta ndëshkojnë rëndë babanë, që vendosi të rimartohet, pas vdekjes së nënës së tyre, 11 vite më parë.

I moshuari thotë se nuk mund të braktisë gruan, me të cilën ka 11 vite që bashkëjeton, duke vulosur vetëpërjashtimin nga fëmijët.

Por si të mos mjaftonte drama e tij familjare, Faiku vuan sot edhe pasojat e një biznesi të shkuar keq e mos keq, ku ai thotë se është viktimë e një gjyqi të parregullt, që e shkatërroi ekonomikisht, duke e zhytur në borxhe e mjerim.

Me buzën që i dridhet e sytë plot lot, 67-vjeçari rrëfen dramën e tij të braktisjes nga familja e fisi thjesht dhe vetëm se mori një grua të dytë, me të cilën të pleqërohej. Faiku thotë se për të kanë vdekur të gjithë, nuk ekziston më askush në këtë botë as vëllezërit, motrat, nipërit e mbesat ,madje as fëmijët që i lindi e i rriti me shumë sakrifica, duke punuar orë pa orë në punë të vështira e të rëndomta, sa në Shqipëri e në Itali, deri ditën kur thotë se i kthyen krahët.

Nga të gjithë përjashton vajzën e madhe, tek e cila ka ende shpresë. Sapo i përmend emrin zë e qan dhe lotët i mbysin të folurën.

Përbuzja e njerëzve më të afërt, që dikur u trokisnin në derë për ndihmë, i ka mposhtur deri në atë pikë sa të dy burrë e grua të tentojnë vetëvrasjen më shumë se një herë.

Si Faiku dhe Luljeta rrëfejnë mes lotësh se i kanë dalë para makinës që të ikin nga kjo botë, por vdekja i ka kursyer.

(Faiku cekrezi dhe Luljeta, që ushqehen tek Kisha, te “Shkolla e Kuqe”, 067 71 98 375)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb