Në studion e emisionit “Me zemër të hapur” të gazetares Evis Ahmeti në News24 u trajtua historia tragjike e 70-vjeçares Kristina Zogu. Një grua që fati nuk i kishte qeshur kurrë, as kur erdhi në jetë nga dy prindër që përjetonin një dashuri të fshehtë.

Nëna biologjike sapo e solli në jetë e mbështolli me rroba të vjetra dhe e hodhi tek varrezat, ku Lumturia u gjet nga një kalimtar i rastit që për fat qëlloi të ishte punonjës i jetimores në atë kohë. Lumturia do të birësohej nga një familje oficeri të cilët e rritën dhe në moshën adoleshente e martuan me një burrë që ajo vet nuk e njihte.

Ditën e parë të martesës Lumturia largohet nga shtëpia e burrit dhe shkon në Elbasan, por fati as këtë herë nuk ishte me të. Pas dy vitesh ajo njihet dhe martohet me një tjetër burrë, por që ishte një pijanec dhe dhunues. Lumturia solli në jetë 5 fëmijë që sot janë të rritur dhe e kanë braktisur nënën e tyre.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Historia e Lumturisë është një dramë e shkruar me të zezë, sot endet rrugëve duke lypur bukën e gojës dhe fle jashtë në të ftohtë.
“Jam braktisur nga nëna ime biologjike sapo linda, në varrezat e Durrësit, aty më gjeti një punonjës i jetimores, më çoi në jetimore. Në moshë të vogël më birësoi një familje në Durrës, familje oficerësh, por ai e dhunonte shumë gruan. Në moshën e adoleshencës ata donin të më martonin me dikë që nuk e doja. Atë ditë në moment ika u largova dhe u fsheha dy vite në një shtëpi në Tiranë, tek një familje. Pastaj pas 2 vitesh unë ika në Elbasan dhe aty u njoha me bashkëshortin që u martova dhe solla 5 fëmijë në jetë. Ai më dhunonte, haja më shumë lot sesa bukë.

Ai më ka dhunuar jashtëzakonisht shumë saqë edhe sot që nuk jeton, më shfaqet si fantazmë. Vjehrra ime i thoshte të birit “bir nuk e ke mirë, vet e deshe vet e more”. Një ditë kur vajza u bë 15 vjeçe ai më vuri litarin në fyt të më mbyste dhe unë e pashë veten keq dhe nga ai moment u largova nga shtëpia duke i lenë të 5 fëmijët. Një ditë vajza ime erdhi më gjeti në rrugë duke lypur dhe tentoi të më fliste, por unë nuk doja të më njihte. Kohët e fundit jetova me atë për një periudhë kohe, por ajo më ka sharë dhe ofenduar duke më quajtur shtrigë dhe magjistare, jam larguar nga ajo dhe nuk doja të jetoja më me atë. Unë as me djemtë nuk flas, ata nuk më flasin, për mua qofshin të lumtur, por unë si mallkoj se jam nënë dhe Zoti ma mbyll gojën”, tha gruaja e moshuar.

Ajo apeloi për ndihmë, pasi ende rrugëve për të mbledhur para për të blerë dhe bukën e gojës, e braktisur nga 5 fëmijët e saj biologjikë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb