E braktisur nga prindërit e saj, por jo nga shokët dhe shoqet e kopshtit e të shkollës, një vogëlushe 5-vjeçare Nga Spitalla e Durrësit po lufton për jetën në banesën e saj. Kanë qenë mësuesit dhe nxënësit e shkollës Naim Babameto në Spitallë, që i qëndrojnë afër vogëlushes Ansuelda Meta dhe gjyshes së saj.

Ndërsa të gjithë familjet menduan të bëjnë dhurata për krishtlindjet e vitin e ri, prindërit e mësuesit e një prej zonave më të varfra mblodhën një shumë lekësh prej 850 mijë lekësh të vjetra dhe 65 euro.

Këtë gjest humanitar ata e bënë, pasi mësuan se një fëmijë, vajzë 5-vjeçare, në kopshtin e shkollës, vuante nga një sëmundje e rëndë, e diagnostikuar me fibrozë kistike e pankreasit në Pediatrine Tiranës. Vajza, me probleme të rënda sociale, jeton me gjyshen Ferizate Merja, në lagjen nr 15 të qytetit, pasi prindërit e kanë braktisur.

Sot një grup mësuesish dhe nxënësish i kanë dërguar sasinë e lekëve të mbledhura në shtëpinë e gjyshes, ku jeton 5-vjeçarja me sëmundje të rëndë, së bashku me disa lodra të veçanta për të luajtur vogëlushja. Gjyshja e vet e emocionuar ka falënderuar miqtë që i shkuan në banesë në një ditë të vështirë.

Për News24, stafi pedagogjik i kopshtit dhe shkollës thanë se do duhej një fushatë solidariteti edhe në shkollat e tjera të qytetit, pasi sëmundja është e rëndë dhe ka kosto të lartë kurimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb