Ish-deputetja e LSI Silva Caka ka theksuar se ngjarjet e rënda kriminale me në fokus policinë nuk duhet krahasuar me raste të tjera të ngjashme nëpër botë.

Ajo i përgjigjet kështu një deklarate të bërë nga zv. ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari i cili e konsideroi ngjarjen e ndodhur në marketin në Tiranë, ku 29-vjeçari u vra nga polici Abër Sula, si një fenomen global.

Në një shkrim në rrjete sociale, Caka thotë se ngjarjet nuk duhet relativizuar, pasi nënkuptohet sikur autoritetet po i japin krahë policëve për të kryer akte të tilla. Ajo thotë se ky skandal, është një kambanë alarmi për strukturat e Policisë së Shtetit dhe se duhet bërë një reformim radikal sipas saj.

Postimi i Cakës:

Fill pasi ka kaluar një vit nga vrasja e djaloshit Klodian Rasha nga një efektiv policie, ndodh ngjarja tjeter, e cila i merr jetën një tjetër të riu, po nga dora e atyre që presupozohet të na mbrojnë nga e keqja.

Relativizimi i çështjes, me nota të theksuara spiropalizmi në rastin më të mirë është idiotësia që kaplon çdo zyrtar të pandjeshëm dhe në rastin më të keq është neglizhenca dhe papërgjegjshmëria që kaplon çdo zyrtar që nuk e ka as idenë më të vogël të asaj që përfaqësojnë pozicioni, veprimet dhe fjalët e tij.

Shkarkimi është pak në këtë rast; kjo deklaratë nuk parandalon dhe as përcjell mesazhe ndëshkueshmërie tek kolegët e policëve vrasës, përkundrazi i nxit ata, duke i justifikuar se është veprim që ndodh në të gjithë botën.

Skandali që solli kjo ngjarje është këmbanë alarmi për gjithë strukturën e Policisë së Shtetit; reformimi i saj duhet të jetë radikal dhe pa kompromis!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb