Nën masa të rrepta të forcave të sigurisë, të shtunën në Shkup kanë nisur aktivitetet për shënimin e 151-vjetorit të lindjes të Goce Dellçevit, figurë historike për të cilën kanë pretendime edhe Maqedonia e Veriut edhe Bullgaria.

Së pari, një delegacion parlamentar do të vendosë lule mbi varrin në kishën “Sveti Spas”, pasuar nga presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministrat.

Në Maqedoni, nga institucionet për siguri kjo ngjarje është cilësuar si ngjarje me rrezik të lartë për shkak të përplasjeve mes bullgarëve dhe maqedonasve për Goce Dellçevin, pasi dy palët e konsiderojnë si hero të tyre.

Goce Dellçev ka udhëhequr një rezistencë maqedonase-bullgare kundër Perandorisë Osmane në periudhën e vitit 1900.

Për shkak të frikës për incidente, rrugët që çojnë te varri i Dellçevit, në Kishën e Shën Spasit, janë bllokuar nga forcat speciale të policisë, ndërsa lejohen të kalojnë vetëm delegacionet shtetërore dhe mediat e akredituara enkas për këtë ngjarje.

“Nuk mund të ketë ardhje spontane në pjesën zyrtare të manifestimit, sepse ashtu është organizimi, meqë rreziku është në nivel më të lartë se më parë. Asnjëherë më parë nuk ka pasur tensione të tilla si tani. Pikërisht ky është qëllimi i strukturave radikale që të krijojnë tensione”, ka deklaruar ministri i Brendshëm maqedonas, Oliver Spasovski.

Policia maqedonase u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë urdhrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në rrugët ku do të zhvillohet ngjarja, për të garantuar sigurinë e të gjitha delegacioneve që do të marrin pjesë në manifestim.

Një grup bullgarësh kanë paralajmëruar ardhjen në këtë manifestim ndërsa eurodeputeti Angel Xhambaski, i njohur për retorikën e tij nacionaliste, ka kërcënuar presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, duke kujtuar atentatin ndaj ish-mbretit serb, Aleksandar Karagjorgjeviq.

Ministria e Punëve të Brendshme e Bullgarisë ka njoftuar se ministri bullgar, Ivan Demerxhiev dhe zëvendësi i tij Vençisllav Katinov, do të vendosin gjithashtu lule në varrin e Dellçevit në Shkup.

Delegacione të Presidencës maqedonase, Qeverisë, zyrtarë të tjerë, politikanë dhe shoqata qytetare, kanë përkujtuar lindjen e Dellçevit, duke vendosur lule mbi varrin në Kishën e Shën Spasit.

Autoritetet kanë bërë thirrje për një festë paqësore dhe dinjitoze të këtij përvjetori.

Tensionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë rritur në nëntor të vitit të kaluar kur pjesëtarë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut, hapën në Manastir dhe Ohër klube bullgare me emrat: “Car Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mijallkov”, të cilët kanë sunduar Bullgarinë në periudhën e Perandorisë Osmane, me synimin e “bashkimin e tokave maqedonase me Bullgarinë”.

Një pjesëtar i këtij klubi, më 16 janar, është sulmuar fizikisht, gjë që rriti edhe më shumë tensionet mes dy vendeve, duke çuar në tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Shkupi.

Dy shtetet fqinje, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, që nga viti 2017, kur kanë nënshkruar një marrëveshje për fqinjësi të mirë, nuk kanë arritur të zgjidhin mosmarrëveshjet historike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb