Shumë fakte nga jeta e zbardhur e pilotit të cilësuar si fajtor për rrëzimin e avionit të ‘Germanwings’, tregojnë se 28-vjeçari kishte luhatje të mëdha sjelljeje dhe humori.

Hetuesit, të cilët mblodhën të dhëna dhe prova materiale nga shtëpia e tij, morën në pyetje edhe të dashurën e Andrea Lubitz , identiteti i së cilës është ruajtur në kushte anonimati. Megjithatë vajza i pranoi ekspertëve se kohët e fundit marrëdhënia e tyre nuk po shkonte aq mirë, madje ata po kalonin një periudhë pauze.

“Jam duke planifikuar një akt të rrëqethës që do të mbahet mend përgjithmonë”­ shkruan sot Daily Mail, duke iu referuar dëshmisë së dhënë nga ish e dashura e pilotit vrasës. Ajo ka treguar se Lubitz i kishte thënë asaj se do të bënte diçka për të cilën do të prishej sistemi dhe ai vetë dhe ajo do të mbaheshin mend gjatë. Ndërkohë që kujton se në një nga ëndrrat që ka parë është zgjuar duke ulëritur “po shkojmë poshtë”.

Por vetëm 3 ditë përpara aksidentit tragjik ajror, Lubitz kishte blerë me llogarinë e tij 2 makina të ngjashme, modeli i fundit “Audi”, njërën për vete dhe tjetrën për të dashurën e tij. Por pavarësisht dhuratës, e cila me shumë gjasë do të rikuperonte marrëdhënien, lidhja e tyre sa vinte dhe përkeqësohej.

Çifti kishte edhe një apartament në periferi të qytetit të Dyseldorfit, ku bashkëjetonin pjesërisht, mirëpo kohet e fundit fqinjët bëjnë të ditur se nuk i kishin parë. Megjithatë pronari i një picerie aty pranë banesës së tyre, tregon se ata dukeshin një çift shumë i mirë, të qeshur e të dashur. Djali dukej shumë bujar, sipas tij. Por sa të vërteta janë këto fjalë për Andrea Lubitz?

Një seri tjetër të dhënash tregon se Lubitz po trajtohej prej 2 muajsh në spitalin e Dyseldorfit, pas provave që hetuesit gjetën në shtëpinë e tij. Mjekët kishin hartuar një raport mjekësor ku e kishin cilësuar djalin si të paaftë për të ushtruar profesionin për gjendje jo të mirë mendore, por 28 vjeçari nuk e kishte dorëzuar raportin te kompania ku punonte, ndoshta me frikën se mund të humbte kontratën për arsye mjekësore.

I përshkruar si një njeri, i cili gjatë gjithë jetës kishte ëndërruar që një ditë të bëhej pilot, dhe në momentin që e kishte realizuar ëndrrën, ajo t’i ikte prej duarsh, duket të ketë qenë një fakt i pakapërcyeshëm për Lubitz.

Miqtë e tij rrëfejnë sesi Andrea kishte një obsesion gjatë gjithë jetës për fluturimin, postera kudo në dhomën e tij, madje njëherë ishte shprehur se do të kishte vdekur nëse nuk do të kalonte testin e pilotimit.

A ishte rrëzimi i avionit një veprim egoist i Andrea Lubitz? Kjo është pyetja që ekspertët kërkojnë të verifikojnë dhe bëhet e ditur se hetimet do të vazhdojnë derisa e vërteta mos të lërë më hapësirë për hipoteza. Pas episodit tragjik të Germanwings, një sërë kompanish ajrore janë zotuar të ndryshojnë rregullat e tyre në mënyrë të tillë që nga sot e tutje, në kabinën e pilotit të jenë gjithmonë të pranishëm dy anëtarë të ekuipazhit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: