Në studion e emisionit “Me zemër të hapur” të gazetares Evis Ahmeti në News24 u trajtua çështja e 34-vjeçarit Emiljano Xhambazi, i cili ndodhet në burg, për shkak të dhunës që ka ushtruar ndaj nënës së tij, Flutura Xhambazi.

Emiljani prej dy vitesh ndodhet në burg për dhunë në familje. Ka qenë nëna e tij e cila e ka denoncuar djalin, teksa rrëfen se ka qenë një incident i përsëritur nga ai, pasi pas divorcit ai kaloi probleme me shëndetin mendor dhe shpesh herë agravohej situata sepse konsumonte edhe alkool.

Emiljano është edhe baba i 5 fëmijëve, por drama e jetës dhe tradhtia bashkëshortore e çoi në këtë gjendje. Dy prindërit e Emiljanos  ditën e sotme kanë mbërritur në studio për të kërkuar ndihmë dhe apeluar për nxjerrjen e djalit të tyre nga burgu.

“Djali ka vuajtur shumë, kemi qenë të varfër dhe s’kemi pasur shtëpi, ka sakrifikuar shumë. Djali u martua dhe është besimtar, jemi munduar të sillemi mirë me nusen e respektonim shumë, por ajo e tradhtoi djalin dhe ky e kapi në flagrancë duke e tradhtuar. Tradhtia ndodhi në shtëpi, në sy të fëmijëve, djali e gjeti dhe e dhunoi pak, pasi djali punonte shofer dhe kjo tradhti ndodhi në mesnatë pasi nusja mendonte se nuk do kthehej në shtëpi. Ne sot i mbajmë marrëdhëniet me të dhe me fëmijët. Për herë të parë kur e denoncova djalin kalova trompozë dhe nuk përballova dot situatën, ai më kërkonte para dhe konsumonte alkool shpesh. Kisha shumë frikë për djalin se mund të ndodhte ndonjë tragjedi dhe vendosa ta denoncoja. Nuk mund ta mbaja më dot në shtëpi. Isha duke larë enët ai erdhi dhe më tha ‘Do më japësh lekë apo jo’ unë i thash nuk kam. Atë moment më qëlloi me një tavëll cigare, vetëm se shmanga kokën që nuk më zuri. Pastaj ai theu një tavolinë qelqi dhe pastaj theu një mbajtëse këpucësh dhe tentoi të godiste, por një mbesa ime bërtiti sepse u tremb shumë dhe ai ndali veprimin. Ma larguan nga spitali dhe s’e mbanin dot. U detyrova që ta denoncoja ta mbanin nën mjekim spitalor”, tha nëna e Emiljanos.

Edhe babai i 34-vjeçarit tregoi të njëjtin version të ngjarjes. “Djali ka goditur nënën me një  mbajtëse këpucësh, por jo hekur. Djali e gjeti bashkëshorten me dikë tjetër në mesnatë në shtëpinë e tij. Nuk ka qenë i sëmurë më parë që në momentin e parë që hasi tradhtinë shfaqi probleme të shëndetit mendor. Në Kosovë ka qenë në një bashkëjetesë me dikë jo të racës tonë, por ajo e la më vonë sepse shfaqi  probleme të shëndetit mendor. Fëmijët e djalit i kemi rritur dhe dy vajzat njëra 15 vjeç dhe tjetra 17 vjeç janë martuar dhe do bëhen nëna”, tha i ati i 34-vjeçarit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: