LEZHË

Pedagogu Agron Gjekmarkaj, kandidat i PD për deputet në Lezhë shprehet i bindur në fitoren e opozitës, sepse sipas tij ka rininë me vete.

Gjekmarkaj tha në një takim me të rinjtë, se beson ende në idealizimin e tyre, ndërsa Ramën e cilësoi të plakur si politikan dhe që nuk ka çfarë i jep më Shqipërisë.

“E dini pse fiton Shqipëria?
Fiton se në zemër të kësaj fushate jeni ju. Jeni të rinjtë e Shqipërisë të cilët nuk doni të ikni, doni të rrini këtu, ta bëni Shqipërinë këtu, europiane, të banueshme dhe të jetueshme dhe demokratike. Unë jam i sigurt që më datën 25 prill ne do të fitojmë. Nëse do të numëroheshin votat tona, ja ku janë votat tona, jeni ju me flamujt tuaj, me shpresën dhe gëzimin e fitores që e kemi të gjithë me vete.
Unë nga profesioni jam pedagog, punoj me moshat tuaja dhe më ka ndodhur që gjatë jetës të lexoj edhe libra. Kam lexuar Çurçillin i cili thotë që nuk do të kishte politikë pa idealizmin e rinisë dhe nuk do të kishte hile në politikë pa moshën e tretë. Unë jam diku ndërmjet, por më afër jush për nga profesioni dhe ende besoj se idealizmi mund ta ndryshojë Shqipërinë, mund ta ndryshojë Lezhën, mund ta ndryshojë fundin e këtyre tetë viteve, duke na dhëne një fitore kaq të domosdoshme për Shqipërinë, e cila do të jetë fitorja jonë, do të jetë fitorja juaj, por mbi të gjitha do të jetë fitorja e së ardhmes sepse është një betejë epokale që ndan dy epoka, të shkuarën që menduam se e kishim lënë pas vite më përpara po na u përsërit me Edi Ramën dhe të ardhmen që duhet të fillojë pas 25 prillit.
Unë jam i bindur që do fitojmë bindshëm, ndjeshëm, fort sepse kemi rininë me vete, atë që Edi Rama s’e ka, ndonëse përpiqet shesh më shesh të bëjë batuta, të tregojë qyfyre, të vishet me tuta, të duket sportiv në fakt është i vjetërsuar.
S’ka asgjë të keqe të jesh i moshuar, të jesh edhe plak, do të kalojmë të gjithë në trajektoren e viteve, por ai është plakur si politikan s’ka çfarë i jep më Shqipërisë. Është plakur nga pesha e korrupsionit, është plakur nga pesha e banalitetit, është plakur nga pesha e servilizmit të njerëzve që i ka dhunuar në 8 vite që i ka si kope nga pas”, deklaroi Gjekmarkaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb