Christian Panucci, trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, ka shpallur sot listën me futbollistët e grumbulluar për 2 ndeshjet miqësore kundër Kosovës dhe Ukrainës.

Mbi të tjerë më shumë në sy binte ftesa për Egzon Binakun, futbollistin i cili do të grumbullohet për herë të parë në Kombëtare. Ai është lojtar defensiv që luan në krahun e majtë, si rol natyral, por ka provuar të bëjë edhe mbrojtësin e djathtë për nevoja të trajnerit.

Panucci prej disa ndeshjesh po përpiqet të gjejë zëvendësin e kapiten Agollit, i cili është lënë sërisht jashtë nga italiani. Por kush është Egzon Binaku.

Një emër që ka provuar të veshë edhe fanellën e kombëtares U-21 të Suedisë, por që ka vendosur të marrë pasaportën shqiptare dhe të bëhet pjesë e kuqezinjve. Ai ka lindur më 27 gusht 1995, është 22 vjeç dhe luan me klubin suedez të Malmö FF.

Djaloshi me origjinë nga Kosova e ka bërë debutimin e tij në “Allsvenskan” (elitën e futbollit suedez) në ndeshjen kundër Halmstads BK, më 4 maj 2015. Ai ka luajtur edhe dy ndeshje me Suedia U-21, ndërsa ka qenë pjesë edhe e kombëtares së 19-vjeçarëve të këtij vendi skandinav.

Në kampionatin e fundit suedez, Binaku është aktivizuar në 10 ndeshje, ose 524 minuta lojë, duke qenë startues në 5 sfida dhe në 5 të tjera ka hyrë si zëvendësues. Kujtojmë se deri tani, “Allsvenskan” ka luajtur 10 javë nga sezoni i ri futbollistik. Më pare, mbrojtësi në fjalë ka qenë pjesë e BK Häcken dhe IFK Åmål, po në Suedi.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb