TIRANË

Gazetari Mustafa Nano komentoi sot në emisionin “Open” në News24 panairin e librit, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.

Nano çmoi pjesëmarrjen dhe prodhimin e librave, duke vlerësuar se Shqipëria nuk ka prodhuar asnjëherë më shumë dhe më mirë se sa tani.

Ai tha më tej se vajtja në panair është një kriteret me të cilët mat nivelin intelektiv të njerëzve.

“Unë panairin e shoh si ngjarjen kulturore më të madhe të vendit. Mendoj që është në planin kulturor, nuk gjej ndonjë gjë më të rëndësishme në planin kulturor. Është një panair ku të gjitha energjitë intelektuale, kreative të kombit kompensohen aty, njerëzit mblidhen. Unë mendoj se disa njerëz janë të lidhur me kulturën në një mënyrë apo në tjetrën. Në qoftë se nuk shkojnë në panair, në një nga ditët e panairit kam përshtypjen se ndiejnë një mungesë, një zbrazëti dhe në vetvete. Madje ky është një nga kriteret me të cilin unë mas nivelin intelektiv të njerëzve. Kur bëhet panairi ti e bën një vizitë, blen një gjë aty. Nëse shkon në panair dhe blen diçka, unë mendoj se ti futesh te sera e atyre njerëzve që kanë një lloj interesi për kulturën, për librin në përgjithësi”, tha Nano.

Ndërkohë sa i përket të lexuarit nga shqiptarët, ai tha se situata dramatizohet.
“Ajo shifra 20 me 80 nuk më tremb shumë. Në qoftë se ma garantoni se 20% e shqiptarëve lexojnë nuk është shfiër e keqe. Panairi është parë dhe si një platformë nga autorët si të ekspozohen nga kategoria jonë psh. që kanë kontakte të rëndësishme, shfytëzohet për një lloj marketingu nga njerëz që kanë akses në media. Jo më kot kanë dhe shitje të mira.
Kam përshtypje që ne e dramatizojmë shpeshherë situatën, nuk ka prodhime të mira, nuk ka libra të mira. Unë mendoj se asnjëherë në Shqipëri nuk është prodhuar në fushën e librit më shumë se sa kaq dhe më mirë se sa kaq. Me periudhën para komunizmit as mund të krahasohemi, po e lëmë mënjanë anën ideologjike.
Sot prodhohet në mënyrë cilësore shumë më shumë se sa është prodhuar. Janë botime të mirë që unë vetë do doja t’i kisha në shtëpi dhe t’i lexoja me radhë. Ka shumë autorë. Janë nja 30-40 autorë shqiptarë që prodhojnë libra me rastin e panairit ose gjatë vitit dhe do doja t’i kisha në shtëpi, që ia vlen ti lexosh, janë prodhime serioze dhe në plan akademik dhe në plan artistik. Ka një lloj prodhimtarie që e shoh si shenjë të mirë”, deklaroi Nano.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb