Është zbardhur dëshmia e Franc Gurraj, djali i shtetases Violeta Gurraj, e cila u gjet e vrarë në banesën e saj në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për BalkanWeb se djali i viktimës ka deklaruar që nuk është ai personi i cili ka telefonuar policinë lidhur me ngjarjen e rëndë. Franc Gurraj momentalisht është një prej të dyshuarve të kësaj vrasje, por ai vetë në dëshminë e tij ka hedhur poshtë çdo dyshim të tillë.

24 vjeçari ka deklaruar se me datë 4 shkurt 2020 ai ka dalë nga paraburgimi ku ndodhej në burgun e Tiranës prej më shumë se një muaji si i dyshuar për lëndë narkotike.

Gjykata e Tiranës i ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Mbrëmjen e 4 shkurtit, ai thotë se e kaloi në Tiranë, por në pamundësi për të qëndruar më atje më 5 shkurt është shoqëruar nga policia tek shtëpia e gjyshërve në Bajzë tek njerëzit e babait.

Mbrëmjen e të dielës më 7 shkurt një komshi shkoi tek banesa ku ndodhej 24 vjeçari dhe xhaxhai i tij duke i thënë se tek banesa e Violeta Gurraj, nënës së Francit ndodhej policia. Më pas kanë ardhur edhe efektivët duke kërkuar që 24 vjeçari si familjar të ishte prezent në momentin kur do futeshin brenda.

Djali i viktimës pavarësisht arrestit në shtëpi i është dhënë leje nga policia për prezencën dhe po ashtu me lejen e efektivëve ka hapur me forcë derën e shtëpisë ku ndodhej nëna e tij. Policia konstatoi menjëherë trupin e pajetë të 47 vjeçares. Për policinë shenjat e dhunës në fytyrë dhe prerja me thikë në fyt ishin të qarta, gjë e cila u vërtetua edhe në morg.

Kanë qenë të afërmit e 47 vjeçares, babai dhe motrat që kanë lajmëruar policinë për shkak se ajo nuk përgjigjej në telefon dhe jo djali i saj sepse siç ka dëshmuar vetë 24 vjeçari që në moshë të vogël as ai dhe as dy motrat e tij nuk kanë patur komunikim me nënën e tyre.

Sipas dëshmisë, nëna e tyre nuk ka qenë në gjendje që të kujdeset për ta dhe se ka patur probleme të shëndetit mendor. Për policinë, Franc Gurraj është një nga të dyshuarit por deri më tani nuk ka një urdhër arresti për të.

Djali i viktimës ka mohuar se mund të jetë ai autori duke thënë se deri më 3 shkurt ka qenë në paraburgim në Tiranë dhe se nëna sipas policisë dyshohet se është vrarë para kësaj date, të paktën prej më shumë se një jave. Gjithsesi ende nuk ka dalë ekspertiza përfundimtare dhe policia vendore e Shkodrës bashkë me efektivët në Malësinë e Madhe vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë.

Disa vite më parë bashkëshorti i Violeta Gurraj është vrarë në mënyrë aksidentale ndërsa që në moshë të vogël tre fëmijët janë larguar nga nëna e tyre duke jetuar tek njerëzit e babait, konkretisht xhaxhai dhe gjyshërit të cilët e kanë shtëpinë afër banesës ku jetonte viktima. Violeta Gurraj për vite me radhë ka kërkuar që t’i kishte ajo fëmijët e saj por nuk ia ka arritur gjë e cila e ka vështirësuar gjendjen e saj psikologjike.

Për shkak se nuk ka arritur që t’i rrisë fëmijët disa herë ka patur konflikte me ish-kunatin dhe madje është proceduar penalisht për dhunë ndaj tij para disa vitesh. 47 vjeçarja jetonte në kushte të vështira, në një banesë të vjetruar si dhe pa energji elektrike sepse nuk kishte mundësi financiare që të paguante faturat e OSHEE. Brenda banesës janë gjetur disa gjurmë që mund ta çojnë policinë në identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarje të rëndë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb