TIRANË

Dita e enjte është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të major Klodian Tanushit, i cili humbi jetën me 10 maj në Letoni si pasojë e plagëve të marra në incidentin e 6 majit ku ndërroi jetë edhe nëtetarja, Zarife Hasanaj.

Homazhet në nder të dëshmorit të atdheut do të zhvillohen në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë nesër nga ora 10:00-12:00 dhe më pas do të pëcillet për në banesën e fundit tek “Varrezat e Dëshmorëve”.

“Këshilli i Ministrave nderon major Klodian Tanushin, i cili ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO në Letoni, duke e shpallur ditën e enjte, datë 16 maj 2019, ditë zie kombëtare. Në nder të major Tanushit, komandant i kontingjentit shqiptar në Letoni, ditën e enjte, në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.

Gjithashtu, Komisioni Qendror i Statutit “Dëshmor i Atdheut”, nën drejtimin e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, e shpall major Klodian Tanushin, i rënë në krye të detyrës, “Dëshmor i Atdheut”. Homazhet në nder të dëshmorit të atdheut, do të zhvillohen në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, nga ora 10:00-12:00.

Më pas, po në mjediset e Muzeut, do të mbahet ceremonia shtetërore në nder major Klodian Tanushit, përpara se arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar të vendoset në shtrat topi dhe të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve”-njofton ministria e Mbrojtjes.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb