Julian Assange ka pësuar sulm në tru, për shkak të paqartësisë lidhur me fatin e tij, deklaroi e fejuara e tij më 12 dhjetor.

Themeluesi i ueb-faqes, “Wikileaks”, u tha se pësoi sulm në tru gjatë kohës sa Gjykata Supreme në Londër vendoste rreth faktit nëse do të duhej të ekstradohej në SHBA apo jo.

Assange po mbahet në një burg të sigurisë së lartë në pjesën juglindore të Londrës. Ndërkaq Stella Morris, nëna e dy fëmijëve të tij ka thënë se “Assange pësoi sulm në kohën kur u mbajt seanca e parë në gjykatë lidhur me rastin e tij”.

“Julian është duke pasur telashe dhe druaj se ky sulm që përjetoi mund të jetë vetëm fillimi i vështirësive të tij. Kjo vetëm sa e shton frikën tonë rreth mundësisë së tij për të mbijetuar, sa më gjatë që kjo betejë ligjore do të zgjasë”, tha Morris.

SHBA-ja e akuzon Julian Assange me 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim të kompjuterit në lidhje me publikimet e mijëra dokumenteve diplomatike dhe ushtarake.

Gjykata Supreme në Londër, më 10 dhjetor hapi rrugën që Assange të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo u bë duke u shfuqizuar vendimin e një gjykate të një niveli më të ulët që thoshte se shëndeti mendor i themeluesit të “WikiLeaks” ishte shumë i ndjeshëm për të përballuar sistemin penal amerikan.

Gjykata në Londër vendosi që garancia e SHBA-së ishte e mjaftueshme që Assange do të trajtohet në mënyrë humane, si dhe urdhëroi gjykatën e nivelit më të ulët që të dërgojë kërkesën për ekstradim te ministri i Punëve të Brendshme për rishikim./rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb