Filmi artistik nga Kosova, “Zgjoi” (Hive) me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim për Çmimin prestigjioz Oscar. “Zgjoi” bën pjesë në listën e ngushtë të 15 filmave ndërkombëtare për edicionin e 94-të të Çmimit Oscar.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka shpallur listën e ngushtë në 10 kategori për ceremoninë e ardhshme të edicionit të 94-të të ndarjes së çmimeve “Oscars”.
Votimi në listën e ngushtë përfundoi më 15 dhjetor dhe të tjerët do të kalojnë në fazën e parë të votimit zyrtar, shkruan Variety.

Votimi i nominimeve fillon të enjten, më 27 janar dhe përfundon të martën, më 1 shkurt, gjersa më 8 shkurt do të bëhet e ditur lista finale e nominimeve.

Pjesë e listës së ngushtë në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj” është edhe filmi shqiptar “Zgjoi (Hive)” i regjisores Blerta Basholli, i cili është propozim i Kosovës për në nominimet e “Oscars 2022”.

Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.

Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj. E pikërisht kjo gjë e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj. Rolin e Fahrijes e luan aktorja kosovare, Yllka Gashi.

Ky film është shpërblyer me çmime të shumta përfshirë edhe tri çmimet kryesore në Sundance Film Festival.
Nëse fiton nomimin për Oscar, “Zgjoi” do të bëhej filmi i dytë nga Kosova që do ta arrinte një gjë të tillë, pasi më 2016, filmi “Shok” me regji dhe skenar të regjisorit britanik Jamie Donoughue, i luajtur nga aktorë të Kosovës, i xhiruar në Kosovë, ishte filmi i parë që përfaqësoi kinematografinë e Kosovës në Oscar.

Edicioni i 94-të i Çmimit Oscar mbahet më 27 mars, 2022.

Kjo është lista e ngushtë e filmave që garojnë për t’u nominuar për çmimin “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”:

“Great Freedom” (Austria) – Sebastian Meise
“Playground” (Belgjika) – Laura Wandel
“Lunana: A Yak in the Classroom” (Butani) – Pawo Choyning Dorji
“Flee” (Danimarka) – Jonas Poher Rasmussen
“Compartment No. 6” (Finlanda) – Juho Kuosmanen
“I’m Your Man” (Gjermania) – Maria Schrader
“Lamb” (Islanda) – Valdimar Jóhannsson
“A Hero” (Irani) – Asghar Farhadi
“The Hand of God” (Italia) – Paolo Sorrentino
“Drive My Car” (Japonia) – Ryusuke Hamaguchi
“Hive” (Kosova) – Blerta Basholli
“Prayers for the Stolen” (Meksika) – Tatiana Huezo
“The Worst Person in the World” (Norvegjia) – Joachim Trier
“Plaza Catedral” (Panamaja) – Abner Benaim
“The Good Boss” (Spanja) – Fernando León de Aranoa.

Katër nga filmat në listën e ngushtë janë filma, regjisore të të cilëve janë gra (“Playground”, “I’m Your Man”, “Zgjoi (Hive)” dhe “Prayers for the Stolen”).

Përveç kësaj, janë tri vende që hyjnë në listën e ngushtë për herë të parë – Butani, Kosova dhe Panamaja, ka shkruar ndër të tjerash revista ndërkombëtare Variety.

Në raundin paraprak të votimit u ftuan anëtarë të Akademisë nga të gjitha degët. Megjithatë, ata duhet të kenë plotësuar një kërkesë minimale të shikimit për të votuar në kategori. E njëjta gjë do të zbatohet për raundin e nominimeve, me pjesëmarrësit që zgjedhen dhe duhet të shohin të 15 filmat e listës së ngushtë dhe të votojnë për ata që do të nominohen përfundimisht për çmimin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: