DELVINË- Pak orë pas ngjarjes së ndodhur në Delvinë, ku një kambist u grabit në banesën e tij nga persona ende të paidentifikuar pasi u dhunua dhe u lidh me litar, flet vëllai i tij.

Në një komunikim me gazetaren Shpresa Dine, Osman Osmani rrëfeu momentet e para pas grabitjes. Ai tha se ishte zgjuar nga të lehurat e qenit dhe se vëllai i ka deklaruar se grabitësit i kanë marrë 25 milionë lekë.

“Ngjarja ndodhur rreth orës 6:00. Sa u ngrita në mëngjes, më doli vëllai i lidhur në fytyrë dhe më kërkonte ndihmë. ‘Më vodhën paratë, më vodhën paratë’. Unë vajta kërkova, i rashë rrotull nuk gjeta gjë. Si duket kanë qenë me mjet. Do e kenë ruajtur se mua më lehu qeni po nuk më vajti mendja. Si duket e kanë pritur të dilte në pazar. Dy persona thonë se kanë qenë. Kishte rreth 25 milionë siç thotë ai”, tregoi vëllai i kambistit.

Grabitja ndodhi në orët e para të ditës së sotme ku grabitës të maskuar janë futur në banesën e Muslim Osmanit, 70 vjeç me profesion kambist, e kanë lidhur të moshuarin dhe e kanë dhunuar duke i marrë më pas një shumë të konsiderueshme të hollash. Vajza e tij, e ardhur këto ditë nga Korça në Delvinë, është hedhur nga dritarja për t’i shpëtuar grabitësve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: