Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një takim me fermerët e zonës së Pajovës në Peqin, premtoi, se pas 25 prillit do të ulet çmimi i kostos së naftës si dhe trau në “Rrugën e Kombit”.

Ai tha se këto dy vendime, do të jenë ndër të parat të qeverisë së pas 25 prillit dhe do të mundësojnë, rritjen e eksporteve dhe të ardhurave të fermerëve.

“Të gjithë fermerët thonë në momentin që u vu trau dhe në momentin që u vu, taksa Rama mbi naftën, nuk vinin kamionët nga Kosova sepse s’i dilte kosto. Naftën e ka rritur 240 lekë për litër, është taksë që e ka vënë ai, thotë është taksa e qarkullimit. Në fakt taksa e qarkullimit ka qenë edhe më përpara, është vendos nga qeveria jonë, 73 lekë të vjetra dhe ka qenë brenda çmimit të naftës. Çështje e vërteta më parë ka pasur një pullë, nëse e mbani mend dhe e vendosnim tek xhami i makinës. Kështu u mendua, u shtua çmimi i naftës dhe nuk paguhej më vit për vit ajo pulla sipas automjeteve. Erdhi ky, të gjithë e mbajnë mend që premtoi se do të ulëte çmimin e naftës, ç’a bëri, 120 lekë në janar 2014 dhe 120 lekë në janar të 2015, 240 lekë për litër paguani taksën Rama. Transporti ka lidhje me gjithçka, që nga kafshata e bukës, e deri tek prerja e flokëve çmimi i naftës është faktor. Prandaj një nga vendimet e para do të jetë, heqja e taksës Rama mbi karburantin 240 lekëshin, që të paktën karburanti ynë të jetë në të njëjtën nivele me Kosovën dhe Maqedoninë. Një nga vendimet e para do të jetë heqja e traut. Do ta kisha bërë këtë në çdo rrethanë, sepse faktikisht është një pengesë që vendoset midis shqiptarëve, midis ekonomisë së Kosovës dhe Shqipërisë, ne duam ta ndërlidhim ekonominë e dy vendeve, ky i ka vënë pengesë, dyfish më shumë, sepse është projekti që më është besuar mua, është i zemrës time, e dini që jam gjysmë kosovar, sepse nëna ime, edhe pse ka lind në Tiranë, prindërit i ka pasur nga Kosova. Nuk ka shqiptar që nuk i djeg në shpirt ai tra, edhe ekonomikisht, edhe në xhep. Ai tra do të hiqet dhe do të jetë një nga vendimet e para të qeverisë së ardhshme. Heqja e traut, ulja e çmimit të karburantit do të jetë një lehtësim tjetër që të eksportoni prodhimet tuaja në tregun e Kosovës”, tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb