Deklarata e deputetes socialiste Mimi Kodheli se “Mësueset sot e kanë mendjen tek buzëkuqi dhe minifundet”, pas rastit të 15 vjeçares që u përdhunua nga roja i shkollës bëri bujë në media.

Por duket se ky fakt nuk e shqetëson Kodhelin. Deputetja ka bërë sot një tjetër postim, ku kujton me respekt të gjitha mësueset e saj dhe thotë se mësuesit që punojnë që brezat të jenë më të mirë i mbron vetë puna e tyre.

“Puna të mbron vetë. Kur nuk e gjen veten tek indiferentet, tek ato që nuk bëjnë detyrën vazhdo të bësh mësuesen e bëhu palë me Mimin dhe gjithë burrat e gratë punëtorë e të ndershëm të këtij vendi, që brezat e ardhëm i do t’i shikojë më të ditur, më të edukuar, më të guximshëm, më mendje hapur e njerëz më të bukur, se ç’ishte brezi i saj”,- thotë ajo.

STATUSI I PLOTE
Hava Shehu, Andromaqi Noçka, Eleonora Pançe, Afërdita Shala dhe Varvara Mishaxhiu, Lejla Sevrani, Lirika Dedja, Kibe Shehu e Meropi Gjebrea, Adelina Meksi, Natasha Milkani, Zana Baroni, Nermin Vorpsi, Mimika Nishani, Elvira Kote, Lume Nallbani e Meriban Dajçi, Rabije Xhemnica dhe Lili Josa; të gjitha bashkë kanë bërë të jem qytetari i mirë që jam sot. Ato më kanë mësuar shkrim e këndim, algjebër dhe kimi, histori e anglisht, kontabilitet dhe statistikë.
Ato më kanë mësuar të dua atdheun dhe familjen, të dua shkollën dhe miqtë, të dua Migjenin, De Radën dhe Sami Frashërin, të di cili është mali më lartë dhe lumi më i gjatë, kush ishin Dardanët dhe si respektohen martirët, më mësuan të vrapoj apo të bëj punë-dore, të di kush ishte Volteri dhe Tolstoi, të di si mbyllet një bilanc dhe çfarë është teoria e korrelacionit.
Ato dinin edhe pa më pyetur, kur kisha mësuar e kur jo, kur kisha nevojë për to apo kur kisha temperaturë, kur isha zënë me shoqen e bankës apo kur isha e lumtur. Edhe pse të ndryshme, ato kishin të gjitha një pamje, atë të nënës time, ato ishin të buta edhe kur ishin të ashpra.
Ato ishin të duruara deri në vetmohim dhe të bukura në shpirt deri në adhurim. Pamja e tyre nuk ulërinte, vëmendja e tyre ndaj nesh, po.
Ato ishin të veshura me ngjyrat e mësuesit (ngjyra të ndryshme nga zanatet e tjera) dhe mbanin mbi supe petkun e seriozitetit edhe kur bënin shaka.
E po ashtu kishte e ka edhe zysh Natasha Xhahini e Hajrina Islami, ka zysh Brikena, Leticia, Ana, Antoneta e Shota, ka zysh Nora, Indrita, Alma, Daniela, e sa e sa emra të bukur “zyshas” me Z të madhe që kanë rritur e rrisin breza pas brezit tim.

Mbi të gjithë këta emra të dashur fort për mua e shumë e shumë të tjerë si unë, më duhet të përmend hallën time 95 vjeçare, Toninen, super zyshën “Nder i qytetit të Shkodrës”.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që flas për to, por i risjell sot në vëmendje, pikërisht në këto ditë të ngakuara me indinjatë e reflektim.
Unë nuk besoj se jam në gjendje të ndryshoj botën, se askush s’mundet vetëm, aq më pak kam të drejtë të bëj moral pa kthyer gishtin nga vetja, por si nënë, pedagoge, grua, motër, bijë, politikane, apo qytetare e kam të drejtën të indinjohem, madje thellë.

Nga ana tjetër, nuk merakosem e as sekelldisem kur shpesh politikanet (qofshin këta burra apo gra) i etikojnë të gjithë pa dallim, me të njejtët emra apo i përfshijnë të tërë, në grupin e “injorantëve”, “të të korruptuarve”, “karagjozëve” po të doni. (Ndjesë për fjalorin, por po citoj disa prej epiteteve që dëgjojmë rëndom të na vihen). A e dini pse? Se nuk e gjej veten në asnjerën prej këtyre etiketimeve, ndaj dhe vazhdoj e qetë punën time deri sa jam e bindur që këtë punë e bëj mirë, mbase shumë mirë, madje as kam kërkuar të mbrohem prej askujt, pavarësisht të gjitha gjërave të pamerituara e të pavërteta të thëna në adresën time apo të shumë kolegeve të mija. Puna të mbron vetë. Kur nuk e gjen veten tek indiferentet, tek ato që nuk bëjnë detyrën, tek ato që abuzojnë me detyrën, vazhdo të bësh mësuesen e bëhu palë me Mimin dhe gjithë burrat e gratë puntorë e të ndershëm të këtij vendi, që brezat e ardhëm i do t’i shikojë më të ditur, më të edukuar, më të guximshëm, më mendje hapur e njerëz më të bukur, se ç’ishte brezi i saj.

Unë çoj lule ende sot në banesën e fundit të atyre zyshave që janë larguar tashmë nga jeta, pavarësisht se ka kaluar pak më shumë se gjysëm shekulli nga dita ime e parë e shkollës.

Uroj që këtë respekt ta ruajnë për ju mësuese të dashura edhe brezat që ju po edukoni sot.

Me krahë të lehta!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: