TIRANE

Emërimet e drejtorëve në Shkodër kanë shaktuar debate dhe replika në mbledhjen e Këshillit Koordinues të Veriut të Partisë Socialiste, që drejtohet nga kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministër i vendit Edi Rama. Ai është përballur me reagimet e forta të deputetit Paulin Sterkaj.

Burimet bëjnë me dije se ligjvënësi i Shkodrës i është drejtuar kryeministrit duke i thënë se vendimi për drejtorët ka marrë trajtat e një tenderi, ku secili dërgon emrat e tij. Deklaratë e cila ka shkaktuar reagimin e kryeministrit Rama, i cili tha se sipas informacioneve që ka, janë 7 lista me emra për drejtorë për institucionet e Shkodrës. Duke shtuar më pas se meqenëse zgjidhja nuk ka ardhur nga të dërguarit në Shkodër dhe deputetët e zgjedhur atje, do të ndërhyjë personalisht. Me një deklaratë të prerë kryeministri Rama është shprehur se të hënën e ardhshme do të thërrasë një tjetër mbledhje të Këshillit të Veriut, në të cilën do diskutohet vetëm për situatën në Shkodër.

Gjendja në degën e PS-së së Shkodrës është kaotike, pasi mungon drejtuesi i degës, ndërkohë që selia qendrore e partisë nuk ka caktuar ende një të dërguar politik, si dhe zgjedhjet e brendshme në këtë degë nuk janë zhvilluar.

Dy ditë më parë, mbledhja në selinë e degës së PS-së Shkodër, është shoqëruar me debate të forta, për emërimin e drejtuesve në Bashkinë Shkodër. Socialistët e kryeqendrës së veriut kanë kundërshtuar edhe të dërguarit e kupolës drejtuese të PS-së, duke thënë se nuk mund të punohet pa mësuar se cili është drejtuesi i tyre politik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb