E diela e këtij fundqershori riktheu jetën e dikurshme në bjeshkët e Bushtricës.

Organizatorët e festës së bjeshkëve të Bushtricës, vëllezërit Poti, teksa kanë konsoliduar nismën e tyre, janë të lumtur se tashmë ky është një event i përvitshëm.

“Është një kënaqësi e veçantë të organizosh një festë për vendlindjen. Mbase ky nuk është vendi më i bukur në Shqipëri por është vendlindja jonë. Po e harruam ne si do ta mësojnë fëmijët tanë nga i kanë rrënjët”, thotë një prej vëllezërve Poti.

“Këtu është pikënisja fillesa e jetës dhe të kthehemi ti japim diçka këtij vendi të mrekullueshëm. Është fantastike të shohësh si çmallen njerëzit që kanë vite pa u takuar me njëri-tjetrin”, u shpreh vëllai tjetër.

Festa e bjeshkëve në Bushtricë është një emocion i veçantë, kryesisht për të larguarit, që tashmë, falë këtij organizimi, kthehen në vendlindje çdo vit.

“Ka njerëz që kanë 30 vite që janë larguar, por kjo ditë i bashkon dhe takohemi të gjithë. Ndjenjë një kënaqësi të madhe”, shprehet një nga pjesëmarrësit.

Por festa nuk është veç për vendasit, pasi një numër i madh të ftuarish dhe vizitorësh i bashkohen eventit që rikthen në vendlindje bijtë e Bushtricës dhe më gjerë në zonën e Kukësit.

“Ky lloj kthimi është rigjallërim i asaj që kemi braktisur, dhënie e jetës të asaj që ka nevojë aq shumë për frymëmarrjen tonë”, u shpreh një qytetar.

Për kryebashkiakun e Kukësit, Albert Halilaj, ky është një event që promovon zonën si një prej perlave turistike që karakterizojnë Kukësin.

“Është një festë e cila organizohet çdo vit nga Bashkia së bashku me biznesmenët e zonës. Po promovojmë zonat turistike të Kukësit. Shpresojmë që turizmi të zhvillohet dhe Kukësi të jetë model në këtë drejtim”, tha ai.

Festa ka vijuar përgjatë gjithë ditës, nën atmosferën e zjarrtë dhe shijen e gatimeve tradicionale të zonës, pjesë e organizimit festiv që, falë vëllezërve Poti dhe organizatorëve të tjerë, rikthen Bushtricën e Kukësit në qendër të vëmendjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb