Ish-deputetja Rudina Hajdari e ftuara këtë pasdite në emisioni “Kjo Javë”News 24 me gazetaren Nisida Tufa, u shpreh se Kuvendi i PD që u zhvillua ditën e sotme, ishte sinjali për ringritjen e kësaj partie.

Hajdari tha se beson në arritjen e krijimit të një opozitë të fortë, ndërsa shtoi se është shumë e rëndësishme pesha e anëtarësisë.

“Gjatë kohës që mundohemi të ringrejmë strukturat e rëndësishme, është pjesa e anëtarësisë që duhet të jetë brenda ngritjes së strukturës. Duhet të bashkohemi, por rreth vendimmarrjeve jo thjeshtë duke ia lënë në dorë emërimeve që bën një kryetar, por t’ia japim peshën e vendimmarrjes anëtarëve të PD. Është mision që PD po merr për t’u ringritur.

Besoj se do arrihet te një opozitë e fortë. Do doja shumë të shikoja më shumë deputetë të merrnin pjesë në Kuvendin e sotëm sepse është një mundësi për tu rilidhur me njerëzit.

Mendoj se kishte deputetë pjesëmarrës, nuk pashë sa ishin prej tyre, pashë edhe që shumica folën gjatë Kuvendit, mund të kishte të tjerë por gjithsesi delegatët e përzgjedhur ishin aty dhe një pjesëmarrje goxha e madhe dhe kjo i jep një sinjal pozitiv bazës dhe Shqipërisë se PD ka objektiv për të gjetur forcën dhe të ringrihet dhe një herë sepse nuk mund ta mohojmë faktin që PD është parti me vlera të veçanta në spektrin politik dhe duhet të ketë atë lavdi që ka pasur më parë”, u shpreh ajo.

Lidhur me shkarkimin që iu bë sot në Kuvend Enkelejd Alibeajt nga të gjitha funksionet, ajo u shpreh se ky i fundit mori një funksion pa votëbesim dhe se nëse aspirata e tij është për të drejtuar PD, atëherë mund të kandidojë.

“E para mendoj se duke marrë parasysh që statuti i tanishëm nuk i jep funksion Alibeajt, ai ka një funksion por përsa i përket liderishpit ajo duhet të vijë përmes votës dhe besimit të anëtarësisë, nëse ai e ka këtë aspiratë, të depozitojë në komisionin e rithemelimit kandidaturën e tij për kryetar partie. S’mund të jetë partia pa lidership në këtë situatë.

Unë vlerësoj çdo kënd që do të japë kontribut brenda PD dhe mendoj se dhe ai vetë nuk e ka të qartë cili është roli i tij, se të jesh në krye duhet të jesh kokëlart dhe të kuptosh pozicionin e rëndësishme që ke. Është mision i rëndësishëm, dhe të jesh aty duhet që patjetër burimi i forcës të vijë nga vota. Mënyra si kanë rrjedhur ngjarjet nuk ka ardhur si produkt i shumicës por si një produkt i ngjarjeve që kanë ndodhur, i vendosur nga një grup i vogël njerëzish”, deklaroi Hajdari.

Nga ana tjetër ajo ka komentuar edhe rikthimin e disa prej figurave të PD, si Jozefina Topalli, Arben Imami si dhe vetë ajo, duke thënë se kjo duhej të kishte ndodhur kohë më parë.

“Mendoj se sa i përket rikthimit të figurave që kanë dhënë kontribut në PD, Topalli ka qenë e vetmja grua e përfshirë në PD. Unë kujtoj në fakt zonjën Topalli, sepse duke qenë e vogël më bënte përshtypje që ishte grua dhe e përfshirë në politikë, dhe ishte në çdo podium të PD. Kujtoj që gjatë periudhës kur isha e vogël vinin në shtëpinë time dhe babi kishte dëshirë t’i ftonte për darkë dhe të krijonte ambient të ngrohtë me bashkëpunëtoret e tij. I kam njohur nga afër figurat e larta të PD që në fëmijëri dhe mendoj se është e rëndësishme rikthimi i këtyre figurave në Kuvend. Basha duhej ta kishte bërë këtë gjë më parë”, u shprhe ajo.

Hajdari tha se lidershipi i  parë ka ulur pritshmëritë e publikut nga opozita dhe se kjo është pika kryesore sipas saj që duhet ndryshuar.

“Sot ishte një ditë e veçantë se mora pjesë në Kuvendin e PD për herë të parë dhe mbajta një fjalë. Nëpërmjet fjalimit propozova disa ide që ishin të rëndësishme.  Ajo ç’ka them që është bërë në këto 9 vite dhe ne duhet ta ndryshojmë, është sesi opozita ka ulur pritshmëritë te njerëzit”, pohoi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb