Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri kim ka zbuluar sot detaje nga takimi i saj me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir meta në zyrën e këtij të fundit duke thënë se në 2-3 orë ish-Presidenti i parashtroi disa çështje për të cilat ranë dhe jo dakord.

Më tej Kim shtoi se si diplomate do të ketë komunikim me të gjitha forcat politike në vend, në mënyrë që të nxisin njëri-tjetrin për të stimuluar demokracinë në vend. Për emisionin “Opinion” ajo gjithashtu komentoi hetimet e SPAK për Metën.

Blendi Fevziu: Faleminderit, le t’i kthehemi vizitës në zyrën e ish-Presidentit Meta, cili ishte qëllimi?

Ambasadorja Kim: Dakord, folëm më herët për rëndësinë e institucioneve demokratike. Për ne, marrëdhëniet institucionale janë shumë të rëndësishme. E di që hera-herës media këtu, por edhe në Amerikë, na pëlqen t’i personalizojmë gjërat, apo jo? Na pëlqen ta lidhim diçka me këtë apo atë person, por…

Blendi Fevziu: Është normale…

Ambasadorja Kim: Normale, po! Por në fakt, për demokracitë dhe për diplomacinë nga Amerika, ka të bëjë me institucionet. Pra, për ne, është normale, është e rëndësishme të kemi kontakte me të gjithë aktorët politikë që janë në Shqipëri sepse ne, e para, duam të sigurohemi që e kuptojmë njëri tjetrin. Së dyti, duam të nxisim njëri tjetrin, mendoj, ta ndihmojmë njëri tjetrin kur ka nevojë ose kur është me vend, që të bazhdojmë ta mbajmë Shqipërinë në rrugën e duhur. Ndaj, do të vazhdoj të takohem me një gamë të gjerë drejtuesish politikë nga të gjitha partitë. E dini, kam vetëm një kufizim, dhe nuk është kufizim që ia vendos unë vetes, por është kufiim nga Uashingtoni…

Blendi Fevziu: Për Z. Berisha, po…

Ambasadorja Kim: …dhe ky kufizim është që nuk do të takohem me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor ose minim të demokracisë.

Blendi Fevziu: Por marrëdhëniet me ish-Presidentin Meta kanë qenë të forta disa herë. Keni shkëmbyer deklarata, le të themi, dhe pastaj Z. Meta u ftua për fjalimin kryesor gjatë festimit të pavarësisë…

Ambasadorja Kim: Edhe një herë, nuk është mesazh i fshehtë. Është një mesazh shumë i hapur, që institucionet demokratike kanë rëndësi. Dhe, është normale në për vende, po e diskutoja këtë me stafin tim, që është normale, që në festën për Ditën tonë të Pavarësisë, që është festa më e madhe, më kryesorja, është normale që Ambasadori të flasë në emër të Shteteve të Bashkuara. Dhe është normale të ftohet përfaqësuesi më i lartë i vendit pritës. Kemi nderin e madh që thuajse çdo vit të kemi Presidentin e Republikës së Shqipërisë dhe për ne, pavarësisht kush është ai person, ai është Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Është ai që flet në emër të popullit shqiptar.

Blendi Fevziu: Po, popullit shqiptar, patjetër. Dhe në lidhje me gjërat konkrete nga takimi. Ishte vetëm takim për të respektuar institucionet apo ishte takim me gjëra konkrete?

Ambasadorja Kim: Folëm, mendoj, për mbi dy orë. Ishte një diskutim shumë i mirë dhe disa nga gjërat, ish-Presidenti Meta përmendi disa nga gjërat, dhe mendoj se ishte një shkëmbim i mirë pikëpamjesh…

Blendi Fevziu: Ishte në një mendje me ju për të gjitha temat?

Ambasadorja Kim: Jo, sigurisht që jo.

Blendi Fevziu: Ka një hetim nga SPAK mbi mënyrën e lobimit nga Z. Meta në Uashington, në SHBA e keni ndihmuar SPAK-un me informacion nga instucionet tuaja?

Ambasadorja Kim: Nuk mund të komentoj për këtë.

Blendi Fevziu: Ka shumë akuza kundër Z. Meta në SPAK, nga persona të ndryshëm, institucione të ndryshme të vogla. Mendoni se është fushatë kundër një partie të opozitës?

Ambasadorja Kim: Mendoj që këto i heton dhe vendos SPAK. Nuk është diçka për diplomatët, apo politikanët apo gazetarët…

Blendi Fevziu: Jo, sepse kjo çshtje e lobimit në Shtetet e Bashkuara ka nevojë edhe për ndihmën e institucioneve amerikane. Pa ndihmën e institucioneve amerikane, nuk mund ta hetojnë çështjen?

Ambasadorja Kim: Po, si parim i gjerë, i përgjithshëm, kur marrim një kërkesë për informacion nga partnerët e ligjzbatimit kudo në botë dhe ku kemi atë që njihet si traktat i ndihmës ligjore të ndërsjellë, përpiqemi ta ndihmojmë njëri-tjetrin duke ofruar informacion.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb