TIRANË

Në intervistën ekskluzive për gazetarin Sokol Balla në News24, zyrtari i lartë amerikan, Gabriel Escobar vuri theksin në luftën ndaj korrupsionit si edhe shtetin e së drejtës.

Duke konfirmuar mbështetjen e SHBA, por jo vetëm, në procesin e Integrimit Escobar shprehet se BE-ja ka të bëjë me vlerat dhe institucionet.

Ndër të tjera Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Gabriel Escobar flet për reformën në drejtësi në Shqipëri, një investim i SHBA në vend, ai thotë se shteti i së drejtës është blloku i themelit nga ku ngrihen të gjitha demokracitë.

“Ne do të bëjmë pjesën tonë në lidhje me sanksionet, sepse ne e marrim shumë seriozisht korrupsionin. Thënë kjo, nuk ka alternativë ndaj prokurorive vendase, gjyqësorit të pavarur, prokurorëve të pavarur dhe vullnetit politik për t’i bërë të gjitha këto të mundura. Pra, do të shihni presionin politik amerikan ndaj udhëheqësve të zgjedhur, të cilët ne i konsiderojmë partnerë të mirë, por ata duhet të jenë partnerë të mirë edhe për të çuar përpara sundimin e ligjit, dhe më besoni, ne jemi mjaft të vetëdijshëm dhe mjaft të hapur me ta për mangësitë që ekzistojnë. Shqipëria ka bërë shumë përparim. Do të doja të shihja më shumë dhe ne duam të punojmë me ju për të arritur më shumë. Dhe shpresojmë se do të arrijmë atje shumë shpejt.” shprehet Escobar.

Pjesë nga intervista:

Sokol Balla: Ne e dimë që Uashingtoni ka qënë mbështetësi ynë kur vjen puna tek integrimi Europian, qysh prej ditës së parë.

ZV/NS Escobar: Saktë! Keni edhe të tjerë, meqë ra fjala. Vendet e KUINT-it janë të bashkuar në këtë gjë.

Sokol Balla: S’jam i sigurtë për këtë. Kur shihni se çfarë po ndodh me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, keni vizituar Shkupin, tani jeni në Tiranë. Në fakt, jam i sigurt që keni vënë re një zhgënjim, edhe në nivelet e larta, le të themi duke filluar nga Kryeministri ynë. Çfarë mund të bëjë SHBA për ta bërë këtë gjë të ndodhë më shpejt?

ZV/NS Escobar: Shikoni, BE-ja ka të bëjë me vlerat dhe institucionet. Pra, ne aktualisht ndajmë jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe vlera të përbashkëta. Pra, në të vërtetë, tani bëhet fjalë për të thelluar institucionet. Dhe për të forcuar institucionet. Ky është një tjetër nga mesazhet e mia, që ne duam të bashkëpunojmë me ju në zhvillimin tuaj. Por jo vetëm kaq. Ne duam të gjemë një nivel më të thellë marrëdhëniesh strategjike me Shqipërinë. Ne mendojmë se jeni gati. Pra, ne jemi gati për këtë sfidë, ne jemi gati të punojmë me ju përgjatë gjithë gamës së mundësive, qofshin ato politike, ushtarake, ekonomike, arsimore, kulturore, ne e duam këtë marrëdhënie me Shqipërinë.

Sokol Balla: Në fakt, kjo tashmë po ndodh sepse ne shohim, për fat të mirë, pak vonë, por më mirë vonë se kurrë, një prani në rritje të interesit ekonomik të SHBA-së në vend.

ZV/NS Escobar: Saktë!

Sokol Balla: Dhe shumë njerëz mendojnë se kjo duhet të kishte ndodhur shumë më përpara. Gjithashtu, nga sot e dimë se një tjetër bazë ushtarake po fillon të ndërtohet në jug të Shqipërisë. Por kur bëhet fjalë për një investim tjetër, investimi i SHBA-së në vend, që është Reforma në Drejtësi, njerëzit nuk janë aq të lumtur. Jo vetëm për shkak të kohës, por edhe për shkak të rezultateve. Pra, çfarë mund të bëhet ndryshe në mënyrë që gjërat të mund të përshpejtohen, në mënyrë që njerëzit t’a ndiejnë ndikimin e Reformës në Drejtësi në jetët e tyre të përditshme. Dua të them, kur bëhet fjalë për pronësinë e tokës, kur bëhet fjalë për investimet e tyre.

ZV/NS Escobar: Epo, shteti i së drejtës është blloku i themelit nga ku ngrihen të gjitha demokracitë, përfshirë edhe tonën. Dhe çdo vend, duke përfshirë edhe vendin tonë, duhet të kërkojë mënyra për të forcuar institucionet e tij, ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Pra, kur vjen fjala për këtë, ne jemi duke punuar me ju përmes programeve tona të ndihmës, përmes programeve tona të shkëmbimit, përmes programeve nga më të ndryshmet, për të forcuar kapacitetet. Megjithatë, dhe meqë ra fjala, ne do të bëjmë pjesën tonë në lidhje me sanksionet, sepse ne e marrim shumë seriozisht korrupsionin. Thënë kjo, nuk ka alternativë ndaj prokurorive vendase, gjyqësorit të pavarur, prokurorëve të pavarur dhe vullnetit politik për t’i bërë të gjitha këto të mundura. Pra, do të shihni presionin politik amerikan ndaj udhëheqësve të zgjedhur, të cilët ne i konsiderojmë partnerë të mirë, por ata duhet të jenë partnerë të mirë edhe për të çuar përpara sundimin e ligjit, dhe më besoni, ne jemi mjaft të vetëdijshëm dhe mjaft të hapur me ta për mangësitë që ekzistojnë. Shqipëria ka bërë shumë përparim. Do të doja të shihja më shumë dhe ne duam të punojmë me ju për të arritur më shumë. Dhe shpresojmë se do të arrijmë atje shumë shpejt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb