ITALI- Besoj e mbani mend Ciro Marmolo-n, 11-vjeçarin nga ishulli i Iskia-s, heroi i vogël që arriti të shpëtonte dy vëllezërit e tij të mitur poshtë rrënojave të banesës së tij pas tërmetit që goditi Italinë pak ditë më parë. Në një kohë kur banesa e tij u sheshua totalish nga tërmeti, tashmë një lajm i mirë vjen për të dhe për gjithë familjen.

Mësohet se familjes së Ciro-s tashmë Kisha e Fontanës i ka dhënë një banesë, e cila i përkiste një fisniku, shkruan ‘Tgcom’. “Falënderojmë Don Pasquale-n dhe peshkopin për mirëpritjen”, pohoi familja e tij.

11-vjeçari u cilësua si ‘hero’ nga forcat e zjarrfikëses, të cilat gërmuan për 16 orë nën rrënoja, për të shpëtuar atë dhe vëllezërit e tij, 7-muajsh dhe 8 vjeç. Forcat e zjarrfikëses u shprehën se Ciro në kohën kur ra tërmeti, kishte shtyrë vëllain e tij poshtë krevatit dhe i kishte dhënë atij kuraje se gjithçka ishte në rregull. Madje edhe nën rrënoja, ai kishte vazhduar t’i fliste vëllait të tij 8-vjeçar, Matias, ndërsa komunikonte edhe me forcat e zjarrfikëses. Pasi doli nga rrënojat që shkaktoi tërmeti i 22 gushtit vogëlushi tha se: “Mendimi im i parë sapo pashë dritën e diellit ishte Zoti. Atëherë kuptova se me të vërtetë ai ekziston”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb