NGA DORJANA BEZAT

TIRANE- Atentati ku mbetën të vdekur dy persona dhe një i tretë i plagosur është përshkruar si një luftë e vërtetë nga E. Gj., e mbijetuara e këtij atentati, e cila nuk mori asnjë dëmtim nga 30 plumbat e shtënë drejt makinës ku ajo udhëtonte. E mbetur e shokuar nga ato që pa dhe përjetoi mbrëmjen e një tetorit, E. Gj. ka dëshmuar dje në polici për atë ngjarjen. Burime pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë kanë thënë se vajza nuk ka mundur ta identifikojë autorin.

“Kishim vetëm pak çaste që ishim futur në makinë, kur ndaj nesh u qëllua me armë. Ishte një luftë e vërtetë. Prej të shtënës së parë unë nga frika u futa poshtë sediles së makinës, pasi isha ulur mbrapa shoferit. Jam ulur dhe kam vënë duart mbi kokë dhe nuk kam lëvizur derisa pushuan të shtënat. Nuk kam parë se kush qëlloi. Kur kam hapur sytë, kam parë personat rreth meje plot gjak dhe e tmerruar kam dalë nga makina dhe u fsheha në lagje. Kur e ndjeva veten të sigurt, kam telefonuar policinë”, mësohet të ketë thënë ajo. E kontaktuar nga “GSH”, ajo nuk ka qenë në gjendje të flasë.

“Jam e shokuar ju lutem respektoni dhimbjen time”, tha ajo. Mësohet se E. Gj. dhe Aurora Oskian kanë qenë mikesha të ngushta me njëra-tjetrën.

SHPERBLIMI
Megjithëse kanë kaluar dy ditë nga atentati i ndodhur në kryeqytet, Policia e Tiranës nuk e ka zbardhur ende plotësisht ngjarjen dhe nuk e ka kapur autorin. Ajo ka vendosur 10 mijë euro shpërblim për personat që japin informacion për autorin apo autorët e vrasjes së Aurora Oskian dhe Kevin Rugova dhe u plagosjen 39-vjeçarit Elvis Gaçaj. Ky i fundit ndodhet në Spitalin e Traumës dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. I kontaktuar nga “GSH” ai nuk ka dashur të japë asnjë koment për ngjarjen e 1 tetorit.

Dje policia ka arritur të gjejë armën, e cila dyshohet se është përdorur në atentat. Palombarët pas kërkimit të imtësishëm në shtratin e lumit Lanë, kanë gjetur pranë vendit të ngjarjes, armën automatik kallashnikov. Mësohet se Policia e Tiranës është duke punuar intensivisht për zbardhjen e vrasjes së dyfishtë që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet. Në ambientet e policisë në mesditë mbërriti edhe drejtori i Përgjithshëm Haki Çako si edhe Ardian Çipa, drejtor i Krimit të Organizuar dhe Antidrogës, të cilët kanë shqyrtuar informacionet e mbledhura deri në këto momente mbi ngjarjen. Dyshohet se policia e ka identifikuar autorin e ngjarjes, por ky fakt nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

Dje grupi hetimor ka ushtruar kontroll në banesën viktimës, Kevin Rugova, ku është gjetur një sasi e vogël kokaine. Nga hetimet paraprake rezulton se pista kryesore është konflikti për pazaret e drogës. Sipas burimeve policore, mësohet se i plagosuri Gaçaj dyshohej si pjesë e një grupi kriminal, që merrej me trafikun e drogës dhe se atentati dyshohet për pazare të prishura për drogën jashtë Shqipërisë. Kjo mbetet pista kryesore hetimore e krimit, ku shënjestra dyshohet të ketë qenë pikërisht Elvis Gaçaj. Ky i fundit rezulton person me precedentë penalë, i akuzuar për “Vrasje”, “Grabitje” e vepra të tjera penale në fushën e narkotikëve. Në vendngjarje policia gjeti edhe 6 gëzhoja pistolete të tipit ‘TT’ dhe 23 gëzhoja kallashnikovi.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb