Nga MONIKA SHOSHORI STAFA

Nuk do të ishte vetëm data përkujtimore e Holokaustit ajo që do të na sillte në vëmendje një nga periudhat më të errëta që jetoi njerëzimi thuajse në mesin e shekullit të kaluar. Ka shumë e shumë histori të vogla që janë pjesë e së tërës e që përbëjnë një kapitull të rëndësishëm të historisë botërore. Lufta e Dytë Botërore ka shënjuar një prej etapave më tragjike të katastrofave njerëzore duke bërë të kuptojë se çfarë ishte në gjendje të prodhohej për të shuar një racë njerëzore të pafajshme.

Një prej dhjetëra çështjeve studimore të kësaj periudhe është: Fëmijët dhe Holokausti. Në të ka nën çështje të tjera që plotësojnë studimin. Arsimimi dhe edukimi kulturor i fëmijëve hebrenj, të cilët jetuan nën pushtimin nazist në Europë dhe Afrikë veriore mes viteve 1933 dhe 1945 përbën një pikë thelbësore për të kuptuar pas periudhës së luftës qasjen e një brezi të ri me jetën dhe të papriturat e saj, me vlerat universale të jetës dhe prioritetet e saj.

Por cilët janë ata faktorë të rëndësishëm që na bëjnë të kuptojmë më tej se si u zhvillua arsimimi i improvizuar dhe përgjithësisht klandestin i fëmijëve hebrenj gjatë Shoah në tokat e pushtuara nga Gjermania naziste. Kush, çfarë, ku, si dhe përse fëmijët hebrenj e kishin kaq shumë të nevojshme të mos e braktisnin atë edhe në kohëra të vështira. Jacqueline Silver, një arsimtare me mbi 30 vjet eksperiencë në mësimdhënie në SHBA, Honduras, dhe Izrael sapo ka botuar librin e saj të fundit “…e megjithatë ata u ndriçuan”, subjekti i të cilit nuk mbetet vetëm te rrëfimi i jetëve personale të fëmijëve që u edukuan në atë periudhë të errët barbarie e nuk e braktisën atë, por dhe tek efektet që ky lloj arsimimi pati tek ta në rrafshin emocional, psikologjik, social dhe moral.

Fëmijët, të cilët jetuan në Gjermani gjatë fuqizimit të nacionalizmit dhe më vonë pasi u dërguan në getot gjermane e kampet e përqendrimit, në jetimoret apo fshehur në shtëpitë me besim fetar kristian, në manastire etj., jetonin ngaherë nën terrorin e vazhdueshëm nazist, tmerrit që sillte uria dhe frika prej shumë faktorëve të tjerë. Ky libër me karakter studimor tregon se pavarësisht kufizimeve të rënda dhe vështirësisë së pamat që përjetohej në atë kohë, shumë njerëz të ndërgjegjshëm vendosën të merrnin përgjegjësitë e tyre për t’u dhënë fëmijëve shkollimin e duhur, në mënyrë që t’u jepej ideja e një ndjenje normaliteti duke kontribuar me qëllim në jetën e tyre. Kushtet në të cilat fëmijët hebrenj jetuan gjatë kësaj periudhe, trajtimi që ata morën prej të rriturve dhe aktivitetet që mundën të organizoheshin sipas Dr. Silver, më së shumti ishin përcaktues në fuqinë e tyre të mbijetesës e madje edhe në etapat e jetës më vonë.

Të dhënat për këtë studim, shpjegon autorja, janë marrë prej burimeve të ndryshme me qëllimin për të vërtetuar informacionin historik. Ato janë mbledhur prej biografive dhe kujtimeve, artikujve, filmave dokumentarë, intervistave të arkivuara të të mbijetuarve, etj.. Ky studim i rëndësishëm duhet të jetë me interes edhe për shumë studiues e të tjerë të interesuar për të kuptuar kushtet psiko- sociale në kohë lufte, edukatorët që kishin nevojë po aq dhe dëshirë për të lexuar filozofi dhe shkencë për të mësuar më shumë mbi metodat e mësimdhënies. Ata ishin më shumë se mësues, ata ishin mentorë me vizion të cilët në periudhën e Shoah, nën një veprimtari gati- gati titanike nuk tuteshin t’u mësonin fëmijëve disa norma dhe kode që përmbanin vlera universale, lidhur me nxitjen e aftësisë së mbijetesës dhe kërkesës për civilizim edhe në kushte të paqëndrueshme, të frikshme e po aq të rrezikshme.

Jacqueline Silver me një doktoraturë në fushën e arsimit, shprehet se ky studim është interesant edhe për një lexues të zakonshëm, i cili ende edhe sot pas më shumë se 75 vitesh përpiqet të kuptojë se çfarë ka ndodhur realisht gjatë kësaj periudhe tragjike të historisë. Vetë Silver, si një veterane me përvojë në fushën e saj ka qenë vazhdimisht e interesuar që t’u bëjë fëmijëve të besojnë në potencialin e tyre, ndërsa vetë ata të mos pushojnë kurrë së përpjekuri për të nxënë vlerat e shenjta dhe principet progresive të një shoqërie demokratike.

HISTORIA
Bota e pafajshme e fëmijëve hebrenj që jetonin në Gjermani ndryshoi kur nazistët erdhën në fuqi në vitin 1933. Popullsia hebreje ishte targeti special i ideologjisë dhe politikave naziste që mori emrin më vonë, Holokaust. Që prej fillimit, hebrenjtë dhe fëmijët e tyre iu nënshtruan rëndë agresionit nazist sipas doktrinës që Hitler kish programuar. Pasi strategjikisht ata hartuan një platformë që e quajtën “Zgjidhja Përfundimtare”, operacionet antisemite e përshkallëzuan më tej agresionin e tyre. Gjatë viteve ’30 një seri ligjesh u miratuan me qëllimin e kufizimit të të drejtave civile dhe ekonomike të hebrenjve dhe grupeve të tjera.

Këto ligje kishin një impakt të fortë sidomos në jetën sociale të fëmijëve. Një prej ligjeve p.sh. që preknin nxënësit dhe studentët hebrenj ishte “Ligji kundër mbipopullimit në shkollat dhe universitetet gjermane”, i datës 25 prill 1933, i cili kufizonte në përqindje numrin e fëmijëve hebrenj në shkolla; jo më shumë se 1.5 % e totalit të të gjithë numrit të studentëve. Fëmijët hebrenj të veteranëve të luftës dhe ata, të cilët kishin vetëm një prind hebre, u përjashtuan nga ky kufizim fillimisht, por pas disa kohësh edhe këta nuk lejoheshin më. Fëmijët hebrenj u ndaluan në shumë hapësira publike, si dhe në të tjera aktivitete të përditshme, si p.sh. të luanin në parqe apo të shkonin në sporte të ndryshme.

Por dhe ata fëmijë që ndiqnin shkolla hebreje nuk kalonin pa probleme. Ishin shtuar rastet kur dhjetëra anëtarë të Rinisë hitleriane, gjatë fillimeve të rritjes së pushtetit të Hitlerit, prisnin jashtë shkollës, deri në fund të ditës për të sulmuar dhe lënduar djemtë hebrenj sapo ata mbaronin shkollën. Por nuk duhet të harrojmë se që prej kohëve antike, arsimimi ka qenë një element i rëndësishëm i kulturës hebraike.

Ndërsa Gjermania mori kontrollin e Europës, mundësitë e hebrenjve për t’u arsimuar në shkolla dhe universitete filluan të limitoheshin derisa u eliminuan krejtësisht. Fëmijët, të cilët kishin arritur të fshiheshin fizikisht, kishin mundësi për t’u përfshirë në një edukim formal, megjithëse kjo ishte shumë e vështirë. Në raste të tjera, më së shumti ata u përpoqën të edukoheshin mes leximit dhe shkrimit vetë, në shtëpitë e tyre.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: