Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e shpalli të mërkurën ditë zie shtetërore, në nderim të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H.W. Bush.

Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se vendimi u mor në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për kontributin e Bushit, dhënë për lirinë e Kosovës.

“Në ditën e zisë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Institucionet dhe partitë politike në Kosovë kanë ngushëlluar popullin amerikan me rastin e vdekjes së ish presidentit Bush. Në përkujtimet e tyre ata vunë theksin tek “paralajmërimi i Krishtlindjeve”, një letër e dhjetorit të vitit 1992 që George H. W. Bush i kishte drejtuar atëbotë presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb