TIRANE

“Fol me psikologen” programi online i “Gazeta shqiptare” ka trajtuar këtë herë problematika lidhur me fëmijët. Historia e parë që erdhi në këtë program ishte historia e një vajze 10-vjeçare. Ajo jeton në një zonë në periferi të kryeqytetit dhe del të fitojë para duke lypur, për shkak se babai i ka vdekur ndërsa e ëma rrit në shtëpi 4 fëmijë të tjerë.

Psikologia Ervisa Lula ka sjellë një pjesë të bisedës me të duke theksuar situatën e vështirë ku ndodhet Ola, situatë e cila e ka kthyer në një “kryefamiljare” që siguron mbijetesën e familjes.

Mirgit Vataj, drejtori i linjës së këshillimit të fëmijëve Alo 116 ka premtuar në studio që pas marrjes së të dhënave të së miturës do të vihen në lëvizje, e në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës do ta ndihmojnë atë dhe familjen e saj. Historia tjetër e trajtuar në emision është historia e një gruaje e cila po rrit mbesën e saj 2-vjeçare pasi e bija është trafikuar.

“Përshëndetje! Jam Mira dhe prej 2 vitesh nuk di asgjë se ku është vajza ime. Policia nuk më thotë asgjë për vendndodhjen e saj. Më thonë se e kanë trafikuar. Në moshën 15 vjeçare u bë nënë dhe….”

I ftuar në studion e “Fol me psikologen” Vataj ka sjellë detaje mbi rastet e vështira me të cilat stafi i linjës së këshillimit për fëmijë përballen çdo ditë duke filluar me telefonatat e fëmijëve të cilët kërkojnë ndihmë. Denoncimet janë të ndryshme, disa denoncojnë dhunën në familje, disa të tjerë denoncojnë abuzimet seksuale apo dhe rastet e trafikimeve të të miturve dhe adoleshentëve. Drejtori i Alo 116 ka sjellë detaje edhe nga një rast tronditës i një të miture e cila ishte abuzuar seksualisht nga fqinji i saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb