Inteligjenca artificiale ka mundësuar së fundmi një dialog përmes videove me njerëzit që janë nisur drejt “parajsës”. Një 87- vjeçare britanike ka folur në funeralin e saj, madje iu përgjigj pyetjeve për jetën nga të afërmit dhe miqtë e pikëlluar, të cilët mbetën të shokuar nga ajo që po shihnin.

Kjo u bë e mundur përmes videove holografike të pajisur me inteligjencë artificiale, e cila lejon hapjen e një dialogu me një të vdekur!
Teknologjia, e zhvilluar nga kompania amerikane StoryFile me seli në Los Anxhelos, krijon një hologram digjital të personit para se të vdesë dhe përdor një seri videosh pyetje-përgjigje të për tema që mund të jenë me interes për njerëzit e afërt apo popullin e tij.
Më pas, kjo pamje video përdoret për të trajnuar një sistem të inteligjencës artificiale në mënyrë që të mund t’u përgjigjet siç duhet pyetjeve që do të bëhen në ditën e funeralit. Produkti përfundimtar, i cili është i pajtueshëm me sistemet e realitetit virtual “ngarkohet” në platformën digjitale të StoryFile nga ku, nëpërmjet një lidhjeje interneti, zhvillohet “dialogu” (ose më saktë iluzioni i dialogut) gjatë funeralit.

Në këtë mënyrë, një grua britanike 87-vjeçare, një nga përdoruesit e parë në botë të teknologjisë inovative u shfaq si një hologram që fliste pak pasi ndërroi jetë. Pasi mbajti një fjalim të shkurtër për jetën e saj, përfshirë të qenit një e mbijetuar e Holokaustit dhe pikëpamjet e saj shpirtërore, ajo iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të familjes që morën pjesë në funeral. Smith e kishte filmuar veten duke dhënë përgjigje rreth gjashtë muaj para vdekjes së saj. Teknologjia, e disponueshme në Britani nga kjo javë, u krijua nga djali i saj Dr. Stephen Smith, bashkëthemelues dhe shef ekzekutiv i StoryFile. Smith pranoi se hologrami “tronditi” të pranishmit dhe tha se nëna e tij e ndjerë iu përgjigj pyetjeve të tyre “me detaje dhe ndershmëri të re”, duke përfshirë fëmijërinë e saj të vështirë, divorcin e prindërve, pikëpamjet e saj politike, parashikimet e saj për të ardhmen e botës, etj.

Ideja fillestare për krijimin e StoryLife në 2017-ën ishte ruajtja në kujtesë e historive të të mbijetuarve të Holokaustit, si dhe figurave të tjera historike, por gjatë rrugës u kuptua se mund të përdorej më gjerësisht në funerale dhe jo vetëm. Kushdo që dëshiron mund të krijojë “një histori” në StoryFile dhe të zgjedhë t’u përgjigjet pyetjeve para vdekjes rreth temave që ata mendojnë se mund të jenë me interes për miqtë dhe familjen e tyre, kryesisht sekrete nga e shkuara.

Ndryshe nga videot e prodhuara (deepfake), kjo teknologji nuk i vë fjalët e parëndësishme në gojën e personit. Nëse hologrami i të ndjerit (d.m.th. sistemi i AI) nuk ka gati ndonjë përgjigje përkatëse për një pyetje, atëherë i ndjeri “kërkon” pyetësin të pyesë diçka tjetër.
Stephen Smith theksoi se falë teknologjisë së re nëna e tij “ishte disi e pranishme” në funeralin e saj dhe theksoi se fjalët e saj ishin vërtet të sajat dhe jo krijimi i inteligjencës artificiale. Rolo Carpenter, krijuesi i chatbot-it CleverBot, konfirmoi se sistemi inteligjent i StoryFile nuk përpiqet të shpikë përgjigjet e veta, ai thjesht zgjedh në varësi të pyetjes përgjigjet e duhura të regjistruara më herët nga të ndjerët.

Smith parashikon shumë përdorime të tjera komerciale për teknologjinë e re përtej bisedës me të vdekurit, të tilla si shërbimi ndaj klientit dhe shitjet. Ai deklaroi se parashikon një botë ku njerëzit regjistrojnë jetën e tyre në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë që më vonë të duket se po flet vetja e tyre 18-vjeçare, vetja e tyre 50-vjeçare etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: