Në një takim me kryetarët e bashkive dhe prefektët në qarqe, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj, ka dhënë porositë konkrete sa i takon detyrave që duhet të kryejë secili prej tyre, nisur edhe nga ligji për menaxhimin e emergjencave.

Lleshaj vuri theksin kryesisht në sistemin e adresave, duke qenë se shume prej shërbimeve po merren në mënyrë elekronike, në mënyrë që asnjë qytetar të mos penalizohet për shkak të adresës.

‘Lidhur me menaxhimin e emergjencave, jemi dëshmitarë që vendi është prekur shpesh. Vjet patëm fatin e keq të dy goditjeve, rindërtimi i vendit është shpallur prioriteti numër një. Qëllimi i emergjencave sot ka të bëjë me nxjerrjen e mësive. Do të ishte e pafalshme nëse nuk do nxirrnim mësime nga ngjarjet që na kanë ndodhur.

Ligji që është miratuar në 2019, vë detyra të rëndësishme për të gjitha bashkitë e vendit, të hartojnë listat me dokumentin e riskut nga fatkeqësitë. Është me rëndësi që të marr vëmendjen e dorës së parë. Nevoja për t’u konsoliduar në këtë fushë është e dorës së parë. Brenda dy viteve, Bashkitë duhet të krijojnë bazën për humbjet nga fatkeqësistë, që mos jemi në situata të krijimit nga e para të të dhënave kur kemi hall. Planifikimi i buxhetit për emergjencat civile, ligji i detyron që të caktojnë 4% të buxhetit për emergjencat.  Po ashtu detyra ka edhe për prefektin e qarkut, ashtu si për bashkinë, të bëjmë vlerësimin e riskut në nivel qarku si edhe bazën e të dhënave.

Cështja e dytë, ka të bëjë me adresarin. Kemi një bazë ligjore që parashikon detyrime të qarta për cdo bashki. Njësitë e qeverisjes vendore janë përgjegjës  për emërtimin e rrugëve, parqeve, numërtimin e banesave. Ky sistem është i detyrueshëm për cdo objekt.

Nëse nuk i përmbushin detyrimet, njësitë e qeverisjes vendore ato përmbushen nga prefekti i qarkut. Ne jemi në një situatë që për disa bashki kjo kërkesë e ligjit nuk ka gjetur zbatim, për arsye të ndryshme, për rrjedhojë kjo kompetencë u ka kaluar prefektëve, që duhet të marrin masa urgjente për ta zbatuar këtë detyrim. Prefektët duhet të mbyllin atë punë që bashkitë nuk e kanë bërë.  Duhet të njohë zgjidhje të shpejtë, për arsye se nga integrimi i gjendjes civile me banesat, dhe futja e shërbimeve on line do krijohen probleme për qytetarët që nuk kanë adresën e saktë.

Për t’i paraprirë cdo problemi është urgjente të mbyllet saktësimi i adresave. Nuk mund të tolerojmë bashki që nuk bëjnë një detyrim elementar e ligjor. Këtë punë do e bëjnë prefektët, por jeni të ftuar që të bashkëpunoni.

Mund të përdoren edhe numra, pa vendosur emra që në disa bashki kanë arritur në nivel butaforik. Qëllim është të mbrojmë qytetarët nga penalizimi që mund të vi nga sistemi i adresës. Ka shumë qytetarë që nuk kanë bërë përditësimet. Së shpejti do të vihet një udhëzim për prefektët me metodologjinë për përfundimin e procesit. Kujt i ka mbetur ndonjë emër personaliteti që do ta nderojë, është momenti i duhur, ashtu si edhe për ndonjë ‘vetting’ të listave, sepse nuk mundet që emri i një personi të dënuar për një vepër penale të na shoqërojë gjatë gjithë jetës sonë. Ju ftoj të bashkëpunoni në funksion të qytetarëve .

Një cështje tjetër është siguria rrugore, e kemi shpallur 2020 si vitin e sigurisë rrugore. kemi të dhëna të mjaftueshme për ta konsideruar prioritet, humbin jetën njerëz, plagosen qindra të tjerë, një faturë e jashtëzakonshme financiare. Aksidentet ndodhin kryesisht në rrugët brenda qytetit, apo në rrugët dytësore.

Është fakt që duhet të na bëjë të na vijë turp, përjashto Tiranën semafori është i panjohur në të gjitha bashkitë. Ka ardhur koha që bashkitë t’i japin një imazh të ri qyteteve.’ u shpreh Lleshaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb