Franca zgjodhi t’i besojë sërish Didier Deschamps, me “gjeneralin e vogël” që firmosi një kontratë të re me “gjelat” deri në 2026. Deri këtu nuk ka asnjë detaj që shqetëson mediat në Francë, fundja përfaqësuesja e tyre me Deschamps në stol ka prekur majat, finalistë në “Euro2016”, Kampion Bote në 2018, sërish në finale në Botërorin e fundit, atë të Katarit. Ajo që për mediat është e papranueshme është deklarata e bërë nga presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Graet:

“Zidane trajneri i Brazilit? Nuk më intereson, mund të shkojë ku të dojë. A më ka telefonuar? Sigurisht që jo, gjithsesi nuk do ja hapja telefonin edhe nëse më merrte”, u shpreh Noel Le Graet. Kjo deklaratë e presidentit të Federatës France nuk është pritur mirë nga mediat:

“E papranueshme”, ishte titulli kryesor i vendosur nga ‘L’Equipe’ në faqen e parë, pikërisht duke iu referuar mungesës së respektit ndaj një figure të futbollit francez dhe botëror si Zinedine Zidane. Në lidhje me të ardhmen e Zidane, mediat shtojnë se së fundmi Zizu ka refuzuar ofertën e ardhur nga drejtuesit e federatës amerikane të futbollit.
(BalkanWeb)