Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov për krizën në Ukrainë, teksa po vazhdojnë përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve pas grumbullimit ushtarak rus në afërsi të Ukrainës.

Kjo bisedë vjen në ditën kur Moska njoftoi se ka tërhequr disa trupa nga kufiri me Ukrainën.

Perëndimi ka thënë se Rusia ka grumbulluar 130,000 trupa në kufi me Ukrainën, që është parë si përgatitje e Moskës për pushtimin e Ukrainës.

Ministria e Jashtme ruse, tha se Moska ka bërë thirrje për “dialog pragmatik” gjatë bisedës me sekretarin Blinken.

“Lavrov ka theksuar se është e papranueshme retorika agresive, e nxitur nga Uashingtoni dhe aleatët e tij dhe ka bërë thirrje për dialog pragmatik për një sërë çështjesh që janë ngritur nga Rusia”, tha ministria ruse përmes një njoftimi.

Liderët perëndimorë thanë më 15 shkurt se njoftimi i Rusisë për tërheqjen e disa trupave, është shenjë pozitive që Moska po shikon që të ulë tensionet mbi Ukrainën.

Po ashtu, media shtetërore amerikane kanë cituar zyrtarë të administratës të kenë thënë se presidenti Joe Biden do të bisedojë më 15 shkurt me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, teksa SHBA-ja po tenton që përmes mënyrave diplomatike të ulë tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb