Rreth 1 milion duhanpirësve do t’ju jepet mundësia të heqin dorë nga cigaret dhe për këtë, do të kujdeset politika e radhës që Anglia ka vendosur të ndjekë. Së fundmi, qeveria britanike ka bërë me dije se tek 1 milionë qytetarë do të shpërndahen VAPE (cigare elektronike) falas me qëllim minimizimin e dëmeve që vijnë nga duhani tradicional.

Qeveria angleze synon që deri në 2030-n, niveli i duhanpirjes në Angli të reduktohet me 5%. Të paktën 1 në 5 duhanpirës atje do të pajisen me VAPE falas.

Ndërkohë, grave shtatzënë do t’iu ofrohet një shumë prej 400 paundësh në mënyrë që të heqin dorë nga konsumi i duhanit, duke qenë se sipas të dhënave zyrtare, në Angli 9% e grave shtatzënë pinë cigare edhe gjatë pritjes së ëmbël.

Nikotina që vape-t kanë në përbërje është shumë më pak e dëmshme sesa duhani dhe konsiderohet si një nga zgjedhjet më efektive për të gjithë ata që duan të lënë duhanin.

Gjatë një fjalimi të mbajtur ditën e martë, ministri i Shëndetësisë Neil O’Brien e përshkroi politikën e vaping të quajtur ndryshe si shkëmbim për ndalim- si të parën e këtij lloji në botë.

Duke e njohur mirë psikologjinë e njerëzve dhe vështirësinë e shkëputjes nga një ves i tillë si duhani, përdorimi i vape-it në vend të tij do t’i ndihmonte njerëzit të hiqnin dorë pa “i detyruar” të heqin dorë.

Të tilla masa janë pritur mirë nga autoritetet britanike, por ndonëse vape falas rrisin shanset për të hequr dorë nga duhani, ato mendojnë se nuk është masë e mjaftueshme për të arritur qëllimin e synuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: