Ka zgjatur për më shumë se 5 ore operacioni në det të hapur i Guardia Di Finanzia dhe policisë së Vlorës për kapjen e një gomoneje të fuqishme që dyshohet se do kryente trafik droge.

Gomonia u kap në afërsi të Mifolit, por trafikantët arritën të shpëtonin, ndërsa në bordin e mjetit nuk u gjet lëndë narkotike, po vetëm një sasi karburanti.
Detajet për mjetin e fuqishëm dhe të sofistikuar i jep për “BalkanWeb” gazetari Enrik Mehmeti.

Sipas tij, bëhet fjalë për një gomone të sofistikuar, mbi 10 metra të gjatë, me tre motorë me 350 kuaj fuqi e para e këtij lloji e kapur në vendin tonë.
Po ashtu gomonia ishte e pajisur me radarë për të kontrolluar territorin ku kalonte.

Jo vetëm 7 mjete lundruese, por edhe një helikopter dhe dron u vunë në ndjekje të saj pasi u pikas nga Guardia Di Finanzia në Itali. Ajo u ndoq nga Karaburouni deri në afërsi të lumit Vjosë, aty ku u gjet e braktisur.

Fakti që gomonia u gjet bosh, nge dyshime te policia që ajo të ketë qënë duke kryer një provë.

NJOFTIMI I POLICISE
Në vijim të operacionit të kërkimit të mjetit lundrues, shërbimet e Policisë Kufitare, bashkë me DVP Vlorë, Delta Forcë, Rojën Bregdetare dhe Guardia di Finanza, kanë bërë të mundur gjetjen dhe bllokimin e gomones, në brendësi të lumit Vjosë, në afërsi të Mifolit.

Nga këqyrja dhe kontrolli i mjetit lundrues nuk është gjetur në bord lëndë narkotike.

Shërbimet e Policisë vazhdojnë krehjen e zonës, për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë qenë në bordin e këtij mjeti lundrues, si dhe kontrollin në ujërat detare për lëndë narkotike pasi dyshohet se mund ta kenë hedhur në det gjatë ndjekjes nga Policia.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: