Për herë të parë në historinë gati 104-vjeçare të FARSH një grua gradohet gjenerale. Me propozim të ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, presidenti i RSH ka dekretuar me gradën gjeneral brigade Manushaqe Shehun.

Gjeneral brigade Manushaqe Shehu ka lindur në Peshkopi më 5 nëntor të vitit 1965. Ajo është titulluar oficere në vitin 1984.

Në karrierën e saj të gjatë prej 32 vitesh në uniformë, ka shërbyer në disa detyra dhe funksione. Pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Lartë të Oficerëve Tiranë, në vitin 1984, emërohet shefe Logjistike në Brigadën e Peshkopisë.

Gjatë viteve 1989-1994, përfundon Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës.

Në vitin 1991 merr gradën kapiten i Parë. Që nga fillimet e karrierës së saj ushtarake deri në vitin 2000 ka punuar në detyra të ndryshme në fushën e logjistikës, financës etj.

Gjatë viteve 2000-2002 punon në ekipin amerikan të Departamentit të Mbrojtjes të USA, pranë MM, si përkthyese, njëkohësisht kryen studime pasuniversitare (Kursin Themelor të Oficerit në Shtab), në Akademinë e Mbrojtjes, Tiranë.

Në vitin 2003 merr gradën major. Gjatë kësaj periudhe, ka qenë nismëtare e disa projekteve për ristrukturimin e FA dhe anëtare e bordit të kompanisë Amerikane SAIC për ndryshimin e strukturave të FA, si dhe anëtare e bordeve drejtuese të ndryshimit të disa rregulloreve të logjistikës në FA.

Ne vitin 2004-2005, përfundon shkollën logjistike ADAMS P&P në Francë si dhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm Spiro Moisiu në Tiranë.

Në vitin 2006 merr gradën nënkolonel. Nga 2007 deri në vitin 2011 ka asistuar ish-presidentin e RSH Bamir Topi në pozicionin e këshilltarit për sigurinë.

Gjatë kësaj periudhe përfundon studimet në Kolegjin e Lartë Rajonal të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, Tiranë.

Është autore e disa botimeve si dhe ka marrë pjesë në kurse dhe trajnime në vende të aleancës dhe partnere.

Në vitin 2010 përfundon Masterin Shkencor MND në fushën Sigurisë Kombëtare dhe po në këtë vit merr gradën kolonel.

Gjatë karrierës së saj znj.Shehu është dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme nga ministri i Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm.

Ajo është pjesëmarrëse në stërvitje të përbashkëta me vende anëtare të NATO-s dhe po ashtu aktiviste dhe drejtuese e nismave në ndihmë të grave ushtarake dhe civile të FA dhe të rajonit.

Më 2012 emërohet drejtoreshë në Shtabin e Përgjithshëm.

Që prej 1 nëntorit të këtij viti është komandante e Akademisë së Nënoficerëve, detyrë të cilën vijon ta ushtrojë.

Shehu është nënë e dy fëmijëve, si dhe njohëse e mirë e dy gjuhëve të huaja.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: