Shpresa Mance, një gruaje 82-vjeçare nga Durrësi, e cila ka një motër 89 vjeçare të sëmurë rëndë, të paralizuar dhe me 2 morfina në ditë. Prej vitesh, dy të moshuarat jetojnë së bashku.

Në muajin mars, zonjës Drita Shehu i skadon karta e identitetit, e cila e privon nga marrja e pensionit. Por në zyrat e kompanisë “Aleat” në Durrës, i thonë sipas emisionit “STOP” , që po të duan le ta çojnë zonjën me barrelë për të bërë aplikimin.

Shpresa Mance: Unë jam 82 vjeç dhe kam një motër që është 7 vjet më e madhe se unë. Mirëpo ajo kurohet me morfinë dy herë në ditë, në mëngjes dhe në darkë. Ajo është rrëzuar dhe ka dëmtuar legenin dhe nuk lëviz.

Gazetarja: Prej sa vitesh?

Shpresa Mance: 8 vjet, i shërbej unë se ajo nuk lëviz fare. Nuk kam njeri, nuk kemi njeri fare, jemi të dyja. Asaj i ka vdekur i shoqi, edhe jemi bashkuar ne të dyja dhe banojmë të dyja këtu.

Gazetarja: Pse ke kërkuar Stopin?

Shpresa Mance: Unë kam kërkuar Stopin, që të më ndihmojë për kartën e identitetit, se unë e kam nxjerrë, kurse motrës nuk ja japin. I thonë të vijë, bjere me barelë, unë nuk kam njeri që ta zbresë, ka shkallë shumë. Ato thonë do deshe sille me barelë, po s’deshe mos ashtu.

Bile njëherë më thanë nuk do ju japim dhe pensionin, po nuk e morët kartën e identitetit. Kështu që shkova gjithandej, asnjëri nuk më ndihmoi, u drejtova tek Stopi, thashë ishalla po më ndihmon Stopi.

Për këtë problematikë gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua zyrave të “Aleat”, në Durrës. Punonjëset nuk pranuan të prononcoheshin dhe të jepnin informacion.

Punonjësja 1: Të lutem, nëqoftëse mund të na kuptosh, nuk lejohet asnjë filmim! Duhet të kontaktoni me Kompaninë!

Punonjësja 2: Nuk kemi të drejtë të prononcohemi nëpër emisione!

Punonjësja 3: Zonjë, të kuptojmë që keni emision, nuk na lejohet, na penalizon neve.

Punonjësja 2: Ne nuk do të mbushim emisionin tënd!

Punonjësja 3: Të lutem, kontaktoni me qendrën. Nuk na lejohet të flasim ne, të prononcohemi për ju. Fare! Për asnjë lloj kompanie!

Më pas, gazetarja u interesua tek drejtoresha e Gjendjes Civile në Durrës, e cila tha se në shtëpi shkojnë vetëm për pasaportat e shpejta, që paguhen 18 mijë lekë të reja.

Përgjegjësja: Vetëm në rast pasaportash 180-çe, vjen grupi nga Tirana, i shkon në shtëpi. Për kartat nuk i shkon!

Gazetarja: Po mirë “ Aleat”-i ka parashikuar këtë gjë (pasaportën), nuk ka parashikuar këtë rastin tjetër (kartën e identitetit)?

Përgjegjësja: “Aleat”-i e ka në dorë këtë problem. Kur është 180 mijë lekë pasaporta, jemi të detyruar të vijmë!

Gazetarja: Po kur është kartë identiteti, s’i leverdis atyre?

Përgjegjësja: Jo, nuk e di tani!

Gazetarja: Si gjendje civile, çfarë keni bërë?

Përgjegjësja: Ne s’kemi të drejtë të flasim me “Aleat”-in. Ato janë privat!

Më tej, “Stop” komunikoi me punonjësen e “Aleat” në zyrat qëndrore, e cila tha se për këtë rast duhet folur me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile.

Punonjësja: Si procedurë, që duhet të paraqiteni tek Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Bëni kërkesën dhe ato do t’ju japin një përgjigje në lidhje me procedurën, që do të ndiqni për të bërë aplikimin e zonjës. Unë ju sugjeroj të shkoni atje me dokumentacionin përkatës.

Gazetarja: Çfarë dokumentesh duhen?

Punonjësja: Kartën e identitetit të vjetrën, të zonjës, raportin mjekësor ose librezë invaliditeti, dicka që tregon që zonja është e paaftë, ose e pamundur për të shkuar deri tek zyrat. Vjen kërkesa tek ne, sigurisht edhe ne e dërgojmë dhe punonjësin e gjendjes civile dhe punonjësit tanë dhe të gjitha pajisjet për të bërë aplikimin në kushtet e shtëpisë, ose të spitalit, siç kemi bërë ju thashë edhe herë të tjera. Punonjësit që do të vijnë për të bërë aplikimin e zonjës në Durrës do të vijnë nga Tirana. Janë punonjësit që bëjnë vetëm këto aplikime.

Për këtë problematikë, “Stop” vendos në dijeni specialisten e gjendjes civile Anila Visha. Ajo thotë se do t’i nisë një e-mail drejtorisë së përgjithshme për këtë rast.

Specialistja: Do komunikoj dhe do t’ju kthej një përgjigjie. Bile, mund të flas që tani me Drejtorinë, sa t’i coj edhe një email. Në momentin, që do komunikoj me drejtorinë time, do të kthej edhe unë një përgjigjie tamam, ashtu sic është për t’u kthyer. Nëse ata e kanë praktikën, normal që do të na orientojnë edhe ne se si bëhet!

Në Ministrinë e Brendshme premtuan se do të flasin me “Aleatin” për zgjidhjen e problemit, që e moshuara të pajiset sa më shpejt me kartë identiteti./tvklan.al

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: