Nga Gjirokastra, në një takim elektoral, kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për ngërçin e krijuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku kontrollorët bllokuan punën, me arsyetimin se janë të paaftë dhe të stresuar, pasi iu është ulur paga nga 4 mijë dollarë në 2.4 mijë dollarë.

Sipas kreut të qeverisë, e gjithë kjo mjegull e madhe u bë për të bllokuar ardhjen e vaksinave të reja anti-Covid.

“Ata në fakt nuk e kanë me mua, ata e kanë me ju, me njerëzit, me vendin. Sepse duan me patjetër që t’i marrin gjërat në dorë për t’iu kontrolluar juve, njerëzit dhe vendin për hesapet e tyre. Unë jam vetëm pengesa mes jush dhe atyre”, tha Rama mes të tjerash.

Më tej, ai iu drejtua gjirokastritëve dhe të gjithë shqiptarëve, duke iu thënë të votojnë PS, për të vijuar punët e nisura dhe për ta çuar Shqipërinë përpara.

“Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë punën, të mos kthehemi pas, të mos tundohemi nga premtimet dhe llafet e bukura, por të shikojmë e vlerësojmë karakterin. Në fund të ditës suksesi është çështje karakteri. Në fund të ditës puna është çështje karakteri, por edhe politika është çështje karakteri. Karakteri ynë është testuar çdo ditë. Ne sot jemi ngjitur në fashën më të lartë në Evropë sa i përket ritmit të vaksinimit. Nuk vijnë gjërat vetë nga qielli. Është e vërtetë ajo që thonë herë pas here ata që e kanë problem të pëlqejnë të mirën, të respektojnë punën, të pranojnë ndryshimin, dhe nuk dinë të zgjedhin mes momentit kur është koha për t’u gëzuar dhe momentit kur është koha për të kërkuar më shumë, dhe thonë ‘ec mo sikur i ke bërë me lekët e tu, ke bërë detyrën’. Po sigurisht që për detyrën zgjidhen njerëzit, nuk zgjidhen për të bërë vezë të kuqe, as për të bërë magjira, as për të hedhur fall, zgjidhen për të bërë detyrën. Sigurisht që me paratë e njerëzve bëhen punët. Edhe më përpara me paratë e njerëzve bëheshin punët. Ne jemi këtu për t’i bërë gjërat me çdo mënyrë, me fondet e BE, me paratë tona. Sot, po të kthesh kokën e të shikosh, ka ende plot shtëpi e çati që duan dorë, por ama rruga është kjo, puna ka nisur e do të vazhdojë. Një gjë është e sigurt, të tjerët nuk e vazhdojnë dot, sepse e kanë pasur mundësinë të tregojnë sa karakter kanë, sa e duan punën, sa durim kanë dhe çfarë bëjnë kur janë në detyrë. “Të përsërisësh të njëjtën gjë, të presësh rezultat tjetër, do të thotë të jesh budalla”, thotë një shprehje. Nuk duhet në asnjë mënyrë të kthehemi mbrapa. Në asnjë mënyrë të lodhemi apo të dekurajohemi nga rrëzimet. Ju e patë çfarë ndodhi dje, e paimagjinueshme, por shumë domethënëse.

Të bllokohet aktiviteti esencial, jetik, i gjithë qarkullimit ajror të vendit, nën pretendimin, në dukje, për të rrëqethur mishin. “Jemi të stresuar se na kanë ulur rrogën në 2.4 mijë USD”. U bë për të bllokuar vaksinimin, që të krijohet një mjegull e madhe. Po si mund t’i bëhet kjo vendit tënd? Ata në fakt nuk e kanë me mua, ata e kanë me ju, me njerëzit, me vendin. Sepse duan me patjetër që t’i marrin gjërat në dorë për t’iu kontrolluar juve, njerëzit dhe vendin për hesapet e tyre. Unë jam vetëm pengesa mes jush dhe atyre. Ata janë mbrapa, duke u përpjekur të na kapin nga xhaketa dhe të pengojnë, të na frenojnë, të na bllokojnë, por ne do vazhdojmë të ecim më shpejt përpara, me vendosmëri e kokëfortësi. Nuk vendoset se kush do qeverisë, ky apo ai, nuk është çështje emrash, vendosni si do të jetë Shqipëria e kësaj dekade, si do të jetë Shqipëria juaj. Zgjedhja është e njerëzve, por detyra jonë është të rrimë pranë njerëzve, t’iu flasim, sepse në fund të ditës populli është më i mençuri nga të gjithë ne. Populli është sinergjia e gjithë inteligjencës emocionale të një bashkësie. Inteligjenca emocionale e këtij populli nuk gabon. Ata që i thonë popullit shqiptar ‘dele’, janë thjesht qenie të humbura në pyllin e injorancës. Populli shqiptar është populli që ka një instikt të jashtëzakonshëm për të kuptuar se çfarë duhet të bëjë, si duhet të zgjedhë, për të garantuar të nesërmen. Nuk do të gabojë as këtë herë”, u shpreh kryeministri Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb